Sporti

Albin Prapashtica: Do ta japim maksimumin që ta rikthejmë KF Vëllaznimin në Superligë

08/24/2021 20:23
nga:Lorik J

Albin Prapashtica ka kompletuar huazimin e tij tek klubi i KF Vëllaznimit në këtë afat kalimtar.

Sulmuesi i ri 20 vjeçar është huazuar nga FC Prishtina te KF Vëllaznimi për komplet stinorin e ri në futbollin kosovar, shkruan GazetaBlic Sport.

Prapashtica tha se kalimi i tij tek KF Vëllaznimi u arrit, pasi ai dëshironte të kishte më shumë minuta në këmbë në mënyrë që t’i tregojë aftësitë që posedon. Gjithashtu sulmuesi theksoi se kishte oferta edhe nga Superliga, por vendosi për Vëllaznimin, që garon në Ligën e Parë.

“Pas përfundimit të garave ndërkombëtare vendosa që për mua është më mirë të shkoj diku dhe të kam më shumë lojë, hapësirë dhe t’i tregojë vlerat e mia – pata ca oferta huazimi nga disa klube nga Superliga, por pas bisedimeve me klubin e Vëllaznimit, kuptova që kishin pretendime të mëdha për inkuadrim në Superligë dhe vendosa që t’i bashkohem ekipit nga Gjakova”, tha fillimisht Albin Prapashtica për ‘GazetaBlic Sport’.

“Unë pres të kem paraqitje sa më të mira, të shënoj sa më shumë gola dhe t’i ndihmoj ekipit në rikthim aty ku e ka vendin, pra në Superligë”, vazhdoi ai.

Në fund, Prapashtica tha se Vëllaznimi ka krijuar ekip mjaft të mirë dhe shpreson që ta kthejë klubin në elitën e futbollit kosovar.

“Unë besoj që kemi një ekip kualitativ dhe jemi duke u komponuar shumë mirë me njëri-tjetrin, ne do të japim maksimumin për ekipin dhe do të shpresojmë inkuadrimin në Superligë”, përfundoi Prapashtica.

/GazetaBlic Sport