Ditë të vështira për diplomacinë tonë. Të paktën kështu duket në parim.
Përderisa kryeministri Kurti në fundjavë mori rrugë poshtë kufirit shqiptaro-shqiptar për të votuar në zgjedhjet e 25 Prillit, në media qarkulloi një e ashtuquajtur “non-paper” nga Gjermania dhe Franca, përcjell GazetaBlic.
Ky dokument paralajmëron krijimin e një autonomie për serbët e veriut, respektivisht vetë veriun.
Sot ndërkaq, ambasadori gjerman deklaroi që ky dokument të jetë franko-gjerman, por nuk e mohoi të ekzistojë një i tillë.
Në anën tjetër, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, sot pritet të marr rrugë për në kryeqytetin evropian, Bruksel. Atje do të zhvillojë disa takime të nivelit të lartë, që kryekëput kanë të bëjnë me dialogun, ose thënë më mirë, rifllimin e tij.
Në Kosovë, opozita dhe analistët e shohin të domosdoshëm faktin e dialogut, por nuk parashohin sesi do të veprojë Kurti, megjithëse thonë që do të qëndrojnë në gatishmëri për të reaguar lidhur me çdo gjë, ndërsa kanë ftuar Kurtin që t’i përmbahet Kushtetutës.
Në një prononcim për GazetaBlic, analisti Arton Demhasaj, paralajmëron rifillim të dialogut.
“Pra mund të jetë rifillimi i dialogut. Besoj që do të përcaktohen edhe takimet e radhës, ku do të koordinohet komplet procesi i dialogut. Me gjasë mund të ketë edhe tentim të përafrimit të arritjes së marrëveshjes. Sa i përket atij “non-paper” që ka qarkulluar ditëve të fundit, besoj se mund të jetë një opsion i tretë, që do t’i përfshijë ndoshta të dy pikat e kaluara nga pak, pra shkëmbimin e territoreve dhe asocioacionin e komunave me kompetenca ekzekutive”, tha ndër të tjera Demhasaj.
Në anën tjetër, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se do të jenë të vëmendshëm sa i përket dialogut dhe se do të jenë aty për ta kundërshtuar secilën pikë anti-kushtetuese.
“I gjithë ky takim duhet të jetë në nivel të rifillimit, por paraprakisht Kurti duhet t’i bëjë të qarta agjendat. Ajo që është e rëndësishme, ne do ta vëzhgojmë, pra mbikëqyrim dhe do të kërkojmë transparencë. Siç edhe e dini, marrëveshjet e tjera i kemi dërguar në kushtetuese dhe kështu do të bëjmë për secilën ku ka dyshime. Kosova me këto kufij njihet nga 120 shtete të botës dhe kështu duhet të jetë. Dialogu duhet të mbyllet me njohje reciproke”, shtoi Kadrijaj.
Kurse, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, beson se Kurti ka mashtruar qytetarët në fushatë. Ai e dinte se prioritet do të ishte dialogu, por thjesh mashtroi.
“Kurti është dorëzuar prej kohësh, dhe krejt kjo për të mbetur në pushtet. Dokumenti me pikat e marrëveshjes që po qarkullojnë janë tejet të dëmshme dhe duhet kundërshtuar fuqishëm. Ai është i gatshëm të dorëzohet përballë çfarëdo marrëveshje eventuale meqë ai tashmë është nënshtruar.Ai e dinte që prioritet do të ishte dialogu, menjëherë pas zgjedhjeve, por mashtroi në fushatë qytetarët. Ai mashtroi.
Kurti nuk është se nuk e ka prioritet dialogun, por qëllimi i tij është që ta mbajë sa më larg publikut dhe qytetarëve duke thënë që nuk e ka prioritet”, përfundoi ai.
Gjithsesi, ditëve të ardhshme mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat, por ajo që duket, në parim, këto letra që po qarkullojnë për synim kanë për ta matur pulsin.
/GazetaBlic/


