Sporti

Albin Kurti për vdekjen e Ciro Blazevic: Si fëmijë, e mbaj mend qysh e pat bërë KF Prishtina aq të famshme

02/08/2023 20:22
nga:Lorik J

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me vdekjen e trajnerit të njohur kroat, Ciro Blazevic.

Blazevic ka ndërruar jetë sot në moshën 87 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, shkruan GazetaBlic Sport.

Kroati ishte trajner i Prishtinës në vitet e 80’ta, ku pati suksese të mëdha.

Më poshtë keni postimin e Albin Kurtit:

“Qiro Bllazheviq, emër i shënuar në periudhën e gjeneratës së artë të KF Prishtina.
Ai sot ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare, duke lënë pas kujtime të shumta nga periudha kur futbolli kosovar kishte arritur kulmin e tij në vitet e ‘80-ta, derisa drejtonte me plot vetëbesim dhe entuziazëm ekipin e atëhershëm të KF Prishtinës.
Si fëmijë, e mbaj mend qysh e pat bërë KF Prishtina aq të famshme. E pat sjellë në Prishtinë këngëtaren e njohur kroate, Tereza Kesovija. Para fillimit të një ndeshjeje të ligës elitare të vitit 1985 në Prishtinë, ajo doli në mes të fushës pranë kapitenit të atëhershëm Fadil Vokrri, për ta nisur ndeshjen formalisht, derisa të gjithë shikuesit në tribina mbanin shalla të bardhë, sepse kështu bënte vetë Mirosllav Qiro Bllazheviq.
Në kujtesën e atyre që e kanë përcjellë futbollin e asaj kohe, Bllazheviq ka bërë vend si një trajner me pasion për futbollin dhe dashurinë e madhe për Prishtinën e Kosovën. Dhe i tillë do të mbetet përherë!
Ngushëllime të sinqerta për familjarët dhe komunitetin futbolldashës”, shkruan Kurti.

/GazetaBlic Sport