Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka uruar të gjithë shqiptarët kudo që janë Festën e 28 nëntorit , raporton Gazeta Blic.
Ai festat e nëntorit i ka quajtur si festë të Flamurit dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kurti ka thënë se duhet punuar e rrugëtuar bashkë.
“28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Urimi i plotë:
Nëntori i Flamurit dhe Forcës
Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet.
Ndërkaq dje, ndërkohë që në Tiranë po mbanim mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, shënuam Ditën e Forcës. Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm.
Urime të gjithëve 28 Nëntori, Dita e Flamurit! Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar. Le t’i bëhemi krah secilit shqiptar.