Lajme

Albin Kurti në terren: “Qeveria po përgatitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme”

07/03/2023 14:49
nga:Genita C

Rruga Gjilan – Bujanoc, Gjilan – Kumanovë, fshati Davidoc i Shtimes, rruga Prishtinë-Podujevë ishin në agjendën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë kësaj jave, kur edhe u publikuan masat ndëshkuese të BE-së ndaj vendit, dhe kjo ‘lëvizje’ e Kurtit po shihet si përgatitje rreth zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi në një prononcim për GazetaBlic tha se në këtë situatë që jemi, është e pamundur të vazhdohet puna e Qeverisë Kurti.

“Duke parë situatën pas masave ndëshkuese të marra nga BE-ja kundër Kosovës dhe paralajmërimin e opozitës për bojkotimin të Kuvendit të Kosovës, e shoh si të pamundur vazhdimin e punës së Qeverisë në kushte normale për të zhvilluar projekte”, tha ai.

Arifi thotë se të gjitha vizitat e fundit të kryeministrit Kurti në komunat e Kosovës, po paralajmërojnë zgjedhjet e reja.

“Po shkojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, varësisht nga situatat që do të zhvillohen në të ardhmen e afërt. Edhe Qeveria është e interesuar, këto vizita janë angazhime për përgatitje për zgjedhjet të reja”, tha Arifi për GazetaBlic.

Kështu Kryeministri Albin Kurti erdhi me premtime të mëdha duke thënë se kontrata për rrugën Gjilan – Bujanoc pritet të përfundojë deri në fund të shtatorit dhe vlera e saj është mbi 3 milionë euro.

Ndërsa për rrugën Gjilan – Kumanovë, e njohur ndryshe si “Rruga e Kumanovës”, kryeministri thekson se vlera e kontratës së rrugës kryesore me krahët e rrugëve lidhëse ka vlerën e mbi 2 milionë eurove.

Në fshatin Davidoc të shtunës është përuruar një park dhe kënd i lodrave, ku prezent ishin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Shefi i Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna të Gjermanisë, Hartmut Ganzke dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

“Për ta gjelbëruar Komunën dhe për të krijuar hapësira të përbashkëta, vlera e projektit kapë shumën e 144 mijë euro, në një siperfaqe prej 1 hektar”, njoftoi Kurti.

Kurti tha se për rrugën Prishtinë-Podujevë, vlera e projektit është 35 milionë euro.

“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të pëmbyllet pritja shumëvjeçare”, shkroi ai.

Kujtojmë se, ditë më parë Bashkimi Evropian ka vendosur disa masa ndaj Kosovës, për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të vendit.

Është thënë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

Madje nga BE-ja kanë deklaruar se për këto masa Qeveria e Kosovës ishte njoftuar më 28 qershor, dhe se të njëjtat mund të tërhiqen mbrapa varësisht nga zhvillimet dhe vendimet e kryeministrit Albin Kurti.

E pas këtij vendimi të BE-së, kanë ardhur reagime të shumta si nga politikanët vendor por edhe ata të huaj. Për paralajmërimet e BE-së për vendosjen e këtyre masave, ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë ditë më parë, tha se Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen aleatin më të sinqertë e më të qëndrueshëm.

Ai po ashtu theksoi se me raste kanë qenë kritikë ndaj BE-së, por asnjëherë cinikë e të hidhëruar.

“Komisioni Evropian ka prezantuar dje para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin e saj dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë, të tillë e ka popullin. Me raste kemi qenë kritikë ndaj BE-së por asnjëherë cinike e të hidhëruar. E nuk jemi as sot. Vitin e kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim e atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni”, ka thënë Kurti.

/GazetaBlic/

Qe çka pritet të bëjë PDK-ja në Këshillin Drejtues – Gazeta Blic sjell disa vendime

PSD-ja: Duhet të garantohet mos-kthimi i kryeministrit Kurti në pushtet

Arben Gashi: S’do të ketë seanca normale as vend normal pa u hequr masat e BE-së