Lajme

Albin Kurti në ditën e fundit të vitit në rolin e “babadimrit”: Ndan 10 milionë për ndërmarrjet publike

12/31/2021 12:22
nga:Gazeta Blic

Qeveria e Kosovës në ditën e fundit të vitit, ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Nën drejtimin e kryeministrit Kurti, Qeveria ka marrë vendim që t’i ndajë më shumë se 10 milionë euro për ndërmarrjet publike, raporton Gazeta Blic.

Në anën tjetër ka vendosur ta shfuqizoj vendimin e Qeverisë Mustafa për ndarjen e dividendës për PTK-në. Sipas vendimit të ri, nga 30 milionë sa kishte kërkuar PTK, Qeveria do t’ia jap vetëm 15 milionë euro.

Njoftimi i plotë:

Në ditën e fundit të vitit 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 53-të të saj, kësaj radhe në formë elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime.

Së pari, sipas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 10,860,000 € (dhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë euro), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.

Dhe së dyti, është miratuar vendimi për shfuqizimin e pjesshëm të Vendimit të Qeverisë Nr. 17/20, të datës 24.03.2015, për kërkesën e deklarimit dhe ekzekutimit të dividendës nga Ndërmarrja Publike “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës Sh. A. (PTK), me ç’rast vlera e dividendës së kërkuar zbritet nga 30.000.000 € (tridhjetë milionë euro) në 15.000.000 € (pesëmbëdhjetë milionë euro).