Lajme

Albin Kurti: Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për ushtri moderne me standarde të NATO-s

12/13/2025 20:18
nga:Genita C

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e një ushtrie moderne për Kosovën dhe Shqipërinë, duke vlerësuar trashëgiminë kombëtare dhe nevojën për vetëdije të lartë shtetërore, raporton GazetaBlic.

Ai njoftoi se Republika e Kosovës këtë vit shpenzon mbi 2% të bruto produktit vendor për ushtrinë, duke trefishuar buxhetin për mbrojtje, dyfishuar numrin e ushtarëve, katërfishuar trajnimet dhe shumëfishuar shpenzimet për pajisje, armatime dhe municione.

“Si komb të fortë, neve na ka mbajtur oda, çiftelia, pushka, kënga e vallja. Por, nga komb i fortë, nga ndjenja e fortë kombëtare, duhet të kalojmë tek vetëdije e lartë kombëtare e shtetërore, tek një ushtri që na mbron dhe i del zot atdheut. Prandaj, e kemi të domosdoshme që edhe Kosova, edhe Shqipëria, të kenë ushtri moderne, me standarde të NATO-s”.

“Është viti i tretë që Republika e Kosovës e kalon 2% të bruto produktit vendor si investim për ushtrinë, për mbrojtjen tonë. Buxhetin për mbrojtje e kemi trefishuar, numrin e ushtarëve e kemi dyfishuar, trajnimet janë vendit për oficerët dhe nënoficerët i kemi katërfishuar, ndërkaq buxhetin dhe shpenzimet për pajisje, armatime dhe municione ushtarake i kemi qindfishuar”, tha Kurti në takim me mërgatën e Zvicrës.

Kurti theksoi se situata e mëhershme, kur më shumë armatim ishte nëpër oda dhe edhe në Policinë e Kosovës sesa në ushtri, tregonte nevojën urgjente për ndërtimin e kapaciteteve të mirëfillta ushtarake.

“Bile, më shumë ka pasur armatim e municion nëpër oda sesa në kazerma të ushtrisë”, shtoi ai, duke theksuar se sot Kosova po ndërton një ushtri profesionale dhe të aftë për mbrojtjen e vendit.