Lajme

Albin Kurti i kundërpërgjigjet Lajçakut: Nuk frikësohemi për Asociacionin, por jemi të kujdesshëm

02/02/2022 12:00
nga:Gazeta Blic

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar deklaratën eemisarit të BE-së në në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili gjatë ditës së sotme ka thënë se Kosova nuk duhet të frikësohet nga Asociacioni, duke shtuar se “askush nuk dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë”.

Kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova nuk frikësohet nga Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, por se Qeveria është e kujdesshme, transmeton Telegrafi.

“Kosova nuk frikësohet, por Kosova me Qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne ju shërbejmë qytetarëve të Republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interes i shtetit tonë të pavarur i Republikës sonë demokratike e sovrane, është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetëror, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria”, tha Kurti për media.

Kurti tha se janë të gatshëm për dialog, i cili do të përfundojë me njohje reciproke.

“Ne kemi dhënë propozimet tona në Bruksel, dhe jemi konstruktiv për bisedimet e ardhshme të dialogut, me ç’rast parimi i reciprocitetit është parim i shëndosh. Marrëveshja duhet të arrihet, nuk bëjmë dialog për dialog, Marrëveshja për normalizim të plotë duhet ta ketë në qendër njohjen reciprok”, shtoi ai.

Këtp komente kryeministri Kurti i ka bërë sot gjatë vizitës në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës.

Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Miroslav Lajçak në konferencën për media ka thënë se Kosova është palë e barabartë në dialog dhe se nuk duhet t’i frikësohet krijimit të Asociacionit të komunave me shumicës serbe.

Lajçak: Nuk jemi të interesuar të formojmë një “Republikë serbe” në Kosovë