Sporti

Albin Krasniqi: Transferimi tek Prishtina ishte momenti më i mirë i vitit 2023, më i vështiri ishte barazhi me Ferizajn | Nuk kam fjetur disa netë pas asaj ndeshje

01/01/2024 09:34
nga:Lorik J

Albin Krasniqi ka qenë një ndër futbollistët që ka shkëlqyer në vitin 2023 në futbollin kosovar, si tek Ferizaj, ashtu edhe tek FC Prishtina, ku kaloi në merkaton e verës.

Krasniqi vlerësohet lartë nga ekspertët e futbollit vendor dhe shihet si një nga lojtarët më perspektiv të vendit tonë.

Ai ka theksuar se transferimi tek Prishtina ka qenë momenti i tij më i mirë në vitin 2023.

“Po është e vërtetë që ishte një vit interesant, çka do të veçoja në këtë vit është kalimi im tek Prishtina, mendoj që kam bërë hapin e duhur në karriere – po ndihem si me qenë në shtepinë time, të gjithë në klub më kanë ndihmuar të ambientohem sa më mirë që është e mundur”, tha Albin Krasniqi për ‘GazetaBlic Sport’

Ndërkaq, si çdo futbollist edhe Krasniqi kishte momentet e tij të vështira në vitin 2023. Ai thotë se rënia nga Superliga me Ferizajn ishte e vështirë për të, por nuk e lë anash as lëndimin e rëndë ndaj Gjilanit.

“Momentet më të vështira këtë vit për mua ishin ndeshja e barazhit sa isha pjesë e Ferizajit – kam pas disa netë pa gjumë, pasi që bëmë një super sezon dhe në fund nuk ia arritëm qëllimit, kurse një moment tëpër i vështirë për mua dhe familjen time ishte lëndimi në ndeshjen kundër Gjilanit”, potencoi Krasniqi.

Në fund, Krasniqi tha se në vitin 2024 dëshiron të mos pësojë lëndime dhe të ketë suksese me FC Prishtinën.

“Në vitin 2024 shpresoj shumë të kem shendetin së pari, kurse sa i përket synimeve janë të njejta, që me klubin të luftojmë çdo ndeshje dhe në fund të shpresojmë të kapim Evropën dhe pse jo të fitojmë Kupën e Kosovës”, përfundoi Krasniqi.

/GazetaBlic Sport