Sporti

Albin Berisha: Viti 2023 ishte i veçantë, sivjet dua titullin kampion për herë tretë radhazi me Ballkanin

01/03/2024 12:19
nga:Lorik J

Albin Berisha ka pasur një vit të paharrueshëm në 2023’të dhe sulmuesi i Ballkanit ndihet mjaft mirë për këtë fakt.

Sulmuesi i Ballkanit, Albin Berisha thotë se ballafaqimi me BATE Borisov në vitin që lamë pas ka qenë kujtimi i tij më i mirë – pasi triumfuan dhe u kualifikuan sërish në grupet e Conference League.

Ai thotë se ndeshje si këto vijnë rrallë, andaj janë unike.

“E vërtete që kemi pas kalendar të ngjeshur gjatë këtij viti dhe momenti më i mirë për mua në vitin 2023, ishte ndeshja me Bate Borisov në ‘Play Off’, ku dhe e arritëm kualifikimin në grupe të Conference Leauge për herën e dytë radhazi dhe ndeshjet e tilla janë që luhen rrallë dhe mbahen mend gjatë”, tha fillimisht Albin Berisha për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas Berishës gjithçka është në nivel tek skuadra e Ballkanit dhe kjo i sjell rezultatet pozitive.

“Edhe këtë vit sukseset nuk kanë munguar, kjo falë mbështetjes së presidenit Arsim Kabashi dhe punës së madhe të trajnerit, Ilir Daja dhe stafit te tij dhe kur ke bashkëlojtarë të mirë dhe djemë fantastik në ekip, normalisht që gjithçka shkon siç duhet dhe unë jam ndier shumë mirë”, vazhdoi Berisha.

Në fund, ai potencoi se dëshira e tij për vitin 2024 është të shpallet sërish kampion me Ballkanin.

“Në vitin 2024 do mundohem t’i ndihmojë sa më shumë skuadrës me gola dhe asistime dhe shpresoj që edhe këtë vit në fund të shpallemi kampion sërish që do ishte treta me radhë”, përfundoi Albin Berisha.

/GazetaBlic Sport