Skender Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e djalit të tij Albert Krasniqi ndodhur më 27 janar 2021. Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me tri vjet e pesë muaj burgim për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Në pjesën hyrëse të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës përshkruhet se si ndodhi vrasja e Albert Krasniqit.
“Më datë 27.01.2021, rreth orës 17:00 në parkingun, garazhet e ndërtesës që gjendet në rrugën “Ndue Përleshi” në Prishtinë”, i pandehuri nga pakujdesia ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin Albert Krasniqi, në atë mënyrë që kur i ndjeri i ka lëshuar në dorë të pandehurit, revolen e tipit TT M57, për ta shikuar, të cilën ka dashur që ta blejë i ndjeri, revolja ka shkrepur në duart e të pandehurit në drejtim të ndjerit, duke e qëlluar në gjoks me ç’rast i ka shkaktuar plagë tejshkuese dhe vdekjeprurëse tani të ndjerit, i cili ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes”, thuhet në aktgjykimin dënuës ndaj Krasniqit, transmeton Gazeta Express.
Me këtë, në aktgjykim shkruan se Krasniqi ka kryer veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së). Andaj gjykata e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 5 muaj. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej dëtës 27.01.2021.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, pasi prokurori i shtetit ka lexuar aktakuzën, i pandehuri Skender Krasniqi ka pranuar në tërësi fajësinë për veprën “vrasje nga pakujdesia”.
Lidhur me pranimin e fajësisë, avokati kryesor i Skender Krasniqit, Ramiz Krasniqi, ka deklaruar se klienti i tij e ka humbur djalin që e ka dashur shumë.
“Alberti ka pasur një trajtim të veçantë te babai i tij Skenderi. Kush e ka njohur Albertin, e ka njohur edhe Skenderin, madje disa që nuk i kanë njohur nga afër i kanë menduar edhe si vëllezër. Skender Krasniqi ka humbur djalin e tij, Albertin, i cili do t’i mungojë në çdo çast të jetës”, ka pohuar ndër të tjera avokati Krasniqi dhe me këto fjalë është pajtuar edhe i pandehuri, raporton Express.
Lidhur me shqiptimin e dënimit gjykata ka marrë edhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
“Si rrethanë lehtësuese gjykatë vlerësoi se i pandehuri ka pranuar fajësinë në tërësi për veprën penale për të cilën akuzohet në seancën e shqyrtimit fillestar, se i njëjti ka treguar sjellje korrekte në gjykatë, se ndjen keqardhje të thellë, bashkëpunimi i përgjithshëm i personit të dënuar me gjykatën, përfshirë dorëzimin vullnetar, bashkëpunimin vullnetar të personit të dënuar në hetimin ose ndjekjen penale, sjelljen e personit të dënuar pas konfliktit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Ndërkaq, si rrethanë rënduese gjykata ka vlerësuar “moshën e re të viktimës, shkalla e dënimit të shkaktuar nga personi i dënuar është shumë e rëndë pasi përfshinë vdekjen e tanimë viktimës, vepra penale është kryer brenda marrëdhënies familjare, rrezikshmërinë që paraqet kjo vepër penale ndaj të mirës juridike të mbrojtur me dispozitat penalo-juridike është jashtëzakonisht e madhe, vepra penale është kryer në vend public respektivisht në garazhë në të cilat kanë qasje të gjithë banorët e ndërtesës”.
Pasi Skender Krasniqi ishte shpallur fajtor, mbrojtja e tij Ramiz Krasniqi, kishte deklaruar për Express se kundër këtij vendimi do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit, sepse sipas tij, në këtë situatë kur anëtari i familjes privohet nga jeta nga pakujdesia, i akuzuari lirohet nga dënimi.
Avokati Krasniqi kishte deklaruar se vendimi në fjalë ishte antiligjor dhe sipas tij, edhe vazhdimi i paraburgimit ka qenë joprofesional dhe kundërligjor.