Sporti

Albert Bunjaki për ‘GazetaBlic Sport’: Edon Zhegrova ka bërë një hap të madh në karrierën e tij

01/15/2022 10:20
nga:Mergim Rreci

Edon Zhegrova ka bërë një hap të madh në karrierën e tij futbollistike.

Sulmuesi kosovar ka nënshkruar kontratë me Lille deri në qershor të vitit 2026.

Reprezentuesi i kosovës tashmë do t’i mbrojë ngjyrat e kampionit momental të Francës, me qëllimin e madh për të shkëlqyer e për t’u rritur edhe më shumë profesionalisht.

Zhegrova luajti tre sezone tek skuadra zvicërane, Basel ku u paraqit në 74 ndeshje dhe realizoi 11 gola e 17 asistime.

Albert Bunjaki, ish trajneri i kombëtares së Kosovës ka folur për ‘GazetaBlic Sport’ në lidhje me hapin e madh që ka bërë Zhegrova.

Ish seleksionuesi tha se ky është një hap shumë i madh për Zhegrovën dhe se ai është në drejtimin e duhur.

“Mendoj se është një transferim i madh dhe shumë i qëlluar për Zhegrovën. Futbolli i Francës njihet për futbollin teknik dhe mund të jetë një hap i madh në karrierën e tij. Lille është një klub i madh, është kampion i një shteti që ishte Kampion i Botës. Mund të them se Edoni është në drejtimin e duhur”, tha fillimisht Bunjaki për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas ai foli edhe për të ardhmen e sulmuesit kosovar, ku tha se gjithçka varet nga vetë ai dhe forma se si do ta shfrytëzojë këtë mundësi.

“E ardhmja e Edonit varet vetëm nga vetë ai. Do t’i duhet kohë që të integrohet në futbollin francez, por që natyrisht se është në drejtimin e duhur për një karrierë të madhe. Personalisht jam shumë optimist, Edoni duhet të shndërrohet në njërin nga lojtarët më të mirë tek kjo skuadër dhe më pas të mendoj për hapin e radhës“, përfundoi Bunjaki.

/GazetaBlic Sport/