Nga viti 2016 e deri në muajin gusht të vitit 2021, në Kosovë kanë ndodhur 154 vrasje.
Viti më i përgjakshëm ishte viti 2018, kur kishin ndodhur 34 vrasje.
Derisa në tetë muajt e vitit 2021, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës janë kryer 19 vrasje.
Për njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë, arsyeja kryesore për këtë fenomen janë armët ilegale që janë në duart e qytetarëve.
Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Radion Evropa e Lirë se këto armë janë nxitësi kryesor i vrasjeve që ndodhin në Kosovë.
Sipas tij, një përgjegjësi të madhe e kanë edhe institucionet e sigurisë dhe gjyqësisë që nuk po ndërmarrin vendime proaktive në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve.
“Problemi kryesor është numri i madh i armëve ilegale që janë në posedim të qytetarëve, ku vetëm një numër simbolik ndoshta janë armë që i kalojnë procedurat ligjore që të posedohen me leje, dhe në anën tjetër një problem që po shfaqet sidomos me këto rastet e dhunës në familje, është edhe mosreagimi i institucioneve të sigurisë dhe gjyqësisë që po lënë në liri njerëz që kanë dosje penale të hapura në polici dhe prokurori”, thotë Avdiu.
Avdiu thotë se duhet të rriten ndëshkimet për ata që kanë armë ilegale dhe të ketë afate më të shpeshta për regjistrimin e armëve.


