Lajme

Alarmon Gërvalla: Njërit nga policët e kidnapuar serbët i dhanë injeksion që s’dihet me çfarë efekti

06/20/2023 17:31
nga:G B

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje mbi gjendjen e tre policëve të kidnapuar nga forcat speciale serbe, pas vizitës që shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ua ka bërë atyre.

Sipas Gërvallës, të tre policët e kidnapuar kanë theksuar se gjatë mbajtjes 48 orëshe në Beograd, ata kanë theksuar se nuk janë maltretuar fizikisht por s’iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm.

“Kanë theksuar se gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë maltretuar fizikisht por s’iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm – vetëm nga një copë bukë dhe jo më shumë, ndërsa Sheh Mustafa, i cili ka probleme shëndetësore me organet e frymëmarrjes i është vetëm një injeksion – nuk dihet me çfarë efekti dhe një pompë për frymëmarrje”, tha Gërvalla, njofton Klankosova.tv.

Gërvalla tha se të tre policët po mbahen në dhoma të veçanta, por s’kanë qasje as në televizion e as në gazeta.

“Sipas tyre, trajtimi nga ana e gardianëve të burgut është korrekt. Atyre iu jepet ushqim në baza të rregullta ditore, edhe pse cilësia është jo e mirë. Dje nga autoritetet e burgut iu janë dhënë të brendshme dhe aksesorë të higjienës. Sheh Mustafa ka theksuar se i mungojnë ende medikamentet bazike të cilat i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson qëndrimin në burg”, tha Gërvalla.

Ajo tha se përmes “ambasadorit” Jashari dhe me familjen e Mustafës do të përpiqen që t’ia sigurojnë medikamentet e nevojshme.