Përpjekjet e Paris Saint-Germain për ta rinovuar kontratën e Ousmane Dembeles kanë hasur menjëherë në vështirësi, pasi fituesi i fundit i Topit të Artë pritet ta refuzojë ofertën fillestare të klubit.
Sipas raportimit të RMC Sport, PSG i ka ofruar reprezentuesit francez një kontratë me vlerë rreth 30 milionë euro në vit, ndonëse marrëveshja aktuale e tij është e vlefshme deri në vitin 2028.
Megjithatë, përfaqësuesit e Dembeles po kërkojnë pothuajse dyfishin e kësaj shume, çka bën që bisedimet të jenë ende larg një marrëveshjeje konkrete.
28-vjeçari vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm 2024/25, i cili u kurorëzua me fitimin e Topit të Artë, çmimit “The Best” nga FIFA dhe trofeut të Lojtarit më të Mirë të Ligës së Kampionëve, ndërsa PSG arriti të fitojë për herë të parë në histori titullin evropian.
Roli vendimtar i Dembeles në këtë sukses historik ka forcuar ndjeshëm pozitat e tij në negociata, me anësorin që kërkon një pagë që pasqyron statusin e tij aktual si lojtarit më i mirë në botë.
Ndërkohë, PSG është duke shtyrë përpara një projekt të madh përforcimesh, por njëkohësisht po tregohet e kujdesshme për ruajtjen e ekuilibrit në strukturën e pagave. Klubi po favorizon kontrata me bonuse të larta, një strategji që dështoi verën e kaluar në rastin e Gianluigi Donnarumma, i cili përfundimisht u largua drejt Manchester Cityt.
E njëjta qasje po ndiqet edhe në rastin e Dembeles, teksa drejtuesit parizienë synojnë të blindojnë lojtarë kyç si Willian Pacho, pa e rritur ndjeshëm nivelin e pagave fikse në skuadër.

