Lajme

Alarmet për bombë, eksperti i sigurisë tregon qëllimin pas tyre dhe si të veprojnë institucionet

03/27/2023 20:59
nga:G B

Muaj më parë në Prishtinë për disa ditë pati alarme për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në Rektoratin e UP-së e në shkolla të Prishtinës.

Të gjitha këto rezultuan të rrejshme dhe nuk u gjet asgjë, megjithatë alarmuan institucionet e sigurisë.

Një alarm i tillë që po ashtu rezultoi i rrejshëm ishte edhe mbrëmjen e të dielës së 26 marsit në Aeroportin e Prishtinës, që bëri që të nxirren jashtë të gjithë personat që gjendeshin brenda.

Ishte Gazeta Blic që raportoi fillimisht për rastin, që më pas u konfirmua nga Policia e Kosovës dhe në fund nuk u gjet asgjë.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai thotë se përgjatë një viti janë mbi 10 alarme të rrejshme për bombë në Prishtinë.

“Mund të themi që janë mbi 10 alarme të rrejshme në rajonin e Prishtinës përgjatë një viti, duke dislokuar këto thirrje herë për lokacion brenda në qytet, e herë në pika ku frekuentimi është i lartë”, thekson ai.

Sipas Shalës, lidhur me këto alarme duhet të nxirret një pistë hetimore nga institucionet e sigurisë, që të dihet se kush qëndron pas tyre.

“Institucionet e sigurisë tanimë duhet të nxjerrin një pistë hetimore për faktin se a qëndron një person prapa apo një grup/strukturë shtetërore që ka interesa të saja në destabilizim të vendit”, vlerëson eksperti i sigurisë.

Ai po ashtu thotë se veprimet e policisë lidhur me rastet janë profesionale, teksa shton se synimi përmes këtyre alarmeve është që të ngjallet frikë për mos frekuentim të hapësirave publike.

“Në anën tjetër, veprimet policore janë profesionale në mënyrën dhe në kohën e veprimit dhe ky standard duhet të mbetet i lartë në vazhdimësi sepse sipas kësaj që shihet vërehet një tendencë e cila është frikësimi i përgjithshëm për mos frekuentim të hapësirave publike”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/