Kërcënimi për vendosje të një mjeti shpërthyes, sot në mëngjes në shkollën fillore në Graçanicë, ka alarmuar policinë.
Një kërcënim dërguar shkollës fillore “Mbreti Millutin”në këtë qytezë, për vendosje të bombës, ka bërë që rreth 700 nxënës të njoftohen që të mos shkojnë sot në mësim.
Policia ende nuk ka dhënë ndonjë sqarim, megjithatë ata kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse nxënësit po mbajnë mësim nga distanca.
Ndërkohë, këtë mëngjes kërcënime të ngjashme janë evidentuar edhe në shkolla të tjera.
Procesi mësimor është ndërprerë edhe nëpër disa shkolla në komunat veriore të vendit. Kjo pasi sot në mëngjes, ato dyshohet se kanë pranuar mesazhe anonime kërcënuese, se në to janë vendosur bomba.
Në shkollat ‘Branko Radiçeviq’ në veri të Mitrovicës dhe ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan, është ndërprerë mësimi dhe nxënësit kanë dalë jashtë këtyre objekteve për shkak të sigurisë.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.


