Lajme

Alarmante: Ja sa persona humbën punën në Kosovë, për shkak të pandemisë

04/07/2021 20:22
nga:A. R.

Kryetari i ARBK-së, Agim Shahini, thotë se sipas statistikave të tyre, mbi 50 mijë persona kanë humbur punën e tyre për shkak të pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Blic.

Madje, Shahini thotë se kjo shifër është shumë më e madhe, për shkak që shumë punëtorë në Kosovë, nuk figurojnë si të regjistruar dhe se humbja e punës nga ana e tyre është e pavërifikueshme.

“Sipas statistikave tona mbi 50 mijë punëtorë kanë humbur vendin e tyre të punës, gjatë vitit të kaluar. E gjithë kjo situatë është për shkak të pandemisë COVID-19. Por, unë mendoj që kjo shifër është shumë më e madhe, pasi që në Kosovë, është shumë vështirë të verifikohet numri i saktë i personave që e kanë humbur punën, për shkak se shumë punëtorë nuk figurojnë si të regjistruar”, ka thënë ndër të tjera Agim Shahini, për Gazeta Blic.

Ai ka dhënë alarmin se nëse nuk ndihmohet shpejt sektori privat, numri i bizneseve që do të falimentojnë do të jetë shumë i madh.

Shahini ka dhënë disa këshilla për qeverinë aktuale se si duhet që sipas tij të merren vendime për daljen nga kriza ekonomike, të shkaktuar nga pandemia.