Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se këtë vit ka një rritje të ndjeshme të largimit të mjekëve, krahasuar me vitin e kaluar.
Kryetari i OMK-së, tha se deri tani janë larguar 91 mjekë, një shifër relativisht e lartë.
“Këtë vit kemi një rritje të largimit të mjekëve për në vendet e BE-së, krahasuar me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kanë qenë 211 gjatë tërë vitit ku mbi 70% kanë qenë mjekë të rinj, kryesisht ato të papunë, dhe një pjesë e tyre specializantë. Ky trend këtë vit është rritur, deri ditën e sotme kemi 91 mjekë të larguar, një rritje mjaft e ndjeshme. Struktura përafërsisht është e njëjtë”
Sejdiu tha se këtë vit përveç mjekëve nga sektori publik janë larguar edhe mjekët nga sektori privat për në vendet e BE-së.
“Sa i përket mjekëve të cilët janë të punësuar në sektorin publik, specialistë, janë larguar vetëm katër. Çfarë është e quditshme këtë vit edhe mjekët e sektorit privat kanë fillu me u largu dhe të njëjtit vijnë të evidentohen tek ne për shkak të dokumentit që duhet të lëshohet nga Oda për t’u regjistruar në Odat respektive, janë 11 mjekë këtë vit ndërsa vitin e kaluar kanë qenë vetëm dy. Kështu që është hap një perspektivë për kontakte më të lehta dhe kjo është duke u shfrytëzuar”
“Shumica e mjekëve që largohen janë të papunë, fatkeqësisht Kosova ka mjekë të papunë që është një nivel shumë i lartë krahasuar me të gjitha shtetet e BE-së. Ose ka mjekë që janë në procesin e specializimit, pra nuk mund të gjejmë profile që mund të piketojmë, se ky profil po largohet. Edhe Gjermania në përgjithësi kërkon mjekë të rinj të paspecializuar, të posadiplomuar, sepse është shumë e lehtë nga ajo pikë ngrit nivelin e tyre të dijes” tha Sejdiu në një intervistë dhënë për “Gazeta Bllic”


