Lajme

Alarm nga Shoqata e Ndërtuesve: Rritja e rrymës godet rëndë ndërtimin – pritet shtrenjtim i materialeve

04/29/2025 18:57
nga:Genita C

Në një klimë ku energjia elektrike po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës ngre alarmin për pasojat që kjo rritje mund të sjellë në sektorin e ndërtimit.

Jahir Moria, përfaqësues i kësaj shoqate, thotë për GazetaBlic, se ndikimi nuk do të jetë vetëm në prodhimin e materialeve bazë, por në të gjithë zinxhirin e furnizimit.

Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa lehtësuese ose nuk ofrohen subvencione për prodhuesit vendorë, çmimet e materialeve ndërtimore pritet të rriten ndjeshëm në muajt në vijim.

“Po, ka gjasa reale që të ketë shtrenjtim të materialeve ndërtimore si pasojë e rritjes së tarifës së rrymës.Rritja e tarifës ndikon drejtpërdrejt në koston e prodhimit për shumë fabrika që operojnë në Kosovë, veçanërisht ato që prodhojnë tulla, beton, çimento dhe përpunojnë metalin bazë me rëndësi të madhe për ndërtim”, tha ai.

Morina shpjegon se këto industri janë ndër më energji-intensive dhe çdo rritje e kostos së rrymës reflektohet pothuajse automatikisht në çmimin final të produktit. Por ndikimi nuk ndalet aty. Ai thekson se zinxhiri i tërë i furnizimit, përfshirë transportin dhe logjistikën, ndikohet gjithashtu nga rritja e energjisë.

“Për më tepër, edhe sektorët e transportit dhe logjistikës pësojnë ndikim, që e bën zinxhirin e furnizimit më të kushtueshëm”, tha Morina.

Edhe pse vetë kamionët punojnë me naftë, sipas Morinës, logjistika moderne nuk është e shkëputur nga energjia elektrike.

Ai ndan katër mënyra konkrete përmes të cilave tarifa e rritur ndikon në këtë sektor:

1.Depot dhe qendrat e shpërndarjes përdorin energji për ndriçim, ngarkim e shkarkim me pajisje elektrike si forklift-et, si dhe për ngrohje/ftohje.

2.Prodhimi dhe paketimi i materialeve ndërtimore ndodh në fabrika që varen nga energjia elektrike.

3.Inflacioni zinxhiror – kur çmimi rritet në një hallkë të industrisë, ai bartet tutje në të gjitha nivelet.

4. Elektrifikimi gradual i transportit në shpërndarje lokale po përballet me sfida për shkak të tarifave më të larta të rrymës.

“Pra, edhe pse vetë kamionët funksionojnë kryesisht me naftë, logjistika si sistem varet shumë nga energjia elektrike dhe çdo shtrenjtim e rrit koston e përgjithshme”, përfundoi Morina për GazetaBlic.

Berjani: Rritja e energjisë elektrike s’e prek çmimin e derivateve – Kosova me çmimet më të lira në rajon!