Lajme

Akuzon Borrellin se po punon kundër Kosovës, zyrtarja e BE-së: Dorëhiquni para se të bëni më shumë dëm!

06/14/2023 21:01
nga:Astrit Gashi

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, për qasjen e tij ndaj Kosovës.

Schneeberger, përmes një postimi në Twitter, ka akuzuar Borrellin se po e përkëdhel Serbinë derisa po kryen krime jashtë territorit të saj, duke iu referuar kidnapimit të sotëm të tre policëve të Kosovës.

“Zoti, Josep Borrel, ju dëshironi ta sanksiononi një shtet nga i cili janë kidnapuar tre policë nga njësitë e Serbisë, por se këtë të fundit e përkëdhel derisa kryen krime jashtë territorit të saj”, ka thënë zyrtarja e BE-së.

“Dorëhiquni para se të bëni më shumë dëm. Ju jeni një rrezik për demokracinë dhe paqen në Evropë. Ne kemi nevojë për njerëz të guximshëm që mbrojnë demokracinë tonë, jo forcojnë autokratët”, ka shkruar Schneeberger.