Sporti

Akuzohet për përdhunim, Manchester United reagon për Greenwood

10/15/2022 23:26
nga:L J

Manchester United ka dalë me njoftim pasi Mason Greenwood po akuzohet për tentativë përdhunimi.
Greenwood është një nga emrat më të komentuar së fundmi, por aspak për të mirë.

Anësori i Man United edhe zyrtarisht sot është akuzuar për tentativë përdhunimi nga prokuroria e Mançesterit.

E, pas njoftimit të dhënë nga autoritetet përkatëse në vend ka reaguar edhe vetë klubi, duke njoftuar se lojtari do vazhdojë suspendimin deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Anglezi po akuzohet për tentim përdhunimi, përfshirje në sjellje kontrolluese dhe shtrënguese dhe sulm që ka shkaktuar lëndime trupore ndaj ish-të dashurës së tij.

Më poshtë e gjeni deklaratën zyrtare të Manchester United për Mason Greenwood

“Manchester United vëren se është ngritur kallëzim penal kundër Mason Greenwood nga Shërbimi i Prokurorisë.

Ai mbetet i pezulluar nga klubi, në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor”.

Kujtojmë që dalja e parë në gjykatë e të pandehurit do të bëhet të hënën më 17 tetor në gjykatën e Magjistraturës së Mançesterit.