Lajme

Akuzohej për vrasje gjatë luftës, koha kur Sami Lushtaku akuzonte ministrat e PDK-së se kishin dëshmuar kundër tij në Eulex

05/06/2021 18:22
nga:M K

Akuza të shumta e mobilizim i opozitës u bë kundër ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës e cila para se të ishte në këtë post kishte deklaruar se do të dorëzonte dosje në Gjykatën Speciale, kundër ish krerëve të UÇK-së.

E këtë javë kjo deklaratë e saj u aktualizua e madje nga Partia Demokratike e Kosovës kërkuan edhe shkarkimin e saj.

Mirëpo ishin zyrtarë të kësaj partie që në të kaluarën akuzonin njëri tjetrin se po dëshmonin në Eulex e Ambasada kundër ish ushtarëve të UÇK-së.

Një gjë të tillë e kishte bërë në atë kohë, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ish-komandanti i UÇK-së, Lushtaku në kohën kur akuzohej e madje edhe u dënua nga EULEX-i me 12 vite burg për vrasje gjatë luftës, kishte deklaruar se ishin pikërisht kundërshtarët politike por edhe vetë ministrat e PDK-së të asaj kohe, ata të cilët sipas tij kishin lobuar në Ambasada dhe EULEX, kundër ish ushtarëve të UÇK-së qe një kohë të gjatë.

E dënimin e tij e quante fryt të këtyre lobimeve intensive të kundërshtareve politikë por edhe bashkëpartiakëve, kundër tij dhe krahut të luftës.

Këto reagime Lushtaku i kishte bërë përmes një letre publike në ditën kur u dënua nga atëherë EULEXI-i në vitin 2015 se kishte vrarë një civil gjatë luftës.

“Dua të them që krimet që kryheshin nga forcat e Milloshevicit ishin edhe si sasi, e edhe si ‘cilësi’, shumëfish më të mëdha dhe më makabre se sa ato që mund të janë kryer kryer, po themi, ‘prej nesh’.

Edhe unë jam i mendimit, se duhet të gjykohen të gjitha krimet, qofshin edhe ato më të voglat. Nuk kam dyshim se duhet të hetohemi dhe gjykohemi edhe ne që po luftonim për lirinë e popullit tonë. Sigurisht se mund të kryhen krime në emër të lirisë. Mirëpo, është gabim i rëndë që ne të hetohemi dhe të gjykohemi për çfarë kemi bërë në luftë, nisur nga paragjykimet se çfarë kemi bërë pasluftës.

Sigurisht se pushteti të konsumon.

Një dekadë qeverisje e PDK, pjesë e së cilës jam edhe më tutje, ka krijuar kundër nesh emocione të forta negative. Dhe nuk janë vetëm kundërshtarët politik që kanë krijuar kundër nesh, të njohur si ‘krahu i luftë’, opinione të ashpër negativ.

Një kontribut të madh, kundër nesh, e kanë dhënë edhe bashkëpartiakët, si ministrat dhe zëvendësministrat. Lobimi i tyre intensiv në Ambasada dhe në EULEX, kundër nesh, për një kohë të gjatë, i ka dhënë frytet e duhura, ose të pritura, të tyre”, kishte shkruar në këtë letër publike, Sami Lushtaku.

Ai deklaronte se krahu i luftës po akuzohej padrejtësisht dhe se kundër tyre ishte bërë një fushatë e tërë për të ndikuar në krijimin e një mendimi të ashpër e negativ në publik.

Po ashtu Lushtaku në këtë letër kishte shkruar edhe për Gjykatën Speciale e cila pritej të votohej në atë kohë.

“Këto ditë, shumëkush po përdorë emrin tim si pengesë për votimin ose jo të ndryshimeve kushtetuese, që i japin rrugë aprovimit të Ligjit për Gjykatën Speciale

Publikisht lus të gjithë, posaçërisht deputetët dhe zyrtarët e PDK’së, që mos të manipulojnë me emrin tim. Se a do ta votojnë ose jo këto ndryshime, se a do ta miratojnë ose jo ketë ligj, kjo është një çështje ekskluzive e tyre. Ata duhet të vendosin, sipas bindjes së tyre të lirë. Nuk dëshiroj ta lidh assesi rastin tim, me një rast tjetër”, kishte shkruar ai.

Kjo është letra e tij e plotë e vitit 2015.