Gjykata Kushtetuese ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetarit të VV-së, Albin Kurti, i cili dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ai ka thënë se vendimi i së premtes për pezullimin e procedurave për formimin e qeverisë së re ka bllokuar punën e 120 deputetëve për 25 ditë, teksa e ka quajtur Kushtetuesen “hije politike të opozitës” ndaj VV-së, raporton Gazeta Blic.
Përmes një komunikate për media, Gjykata Kushtuese ka shprehur shqetësimin lidhur me këtë gjuhë, teksa ka thënë se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë.
Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit.
Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.
Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës.


