FC Ballkani ka reaguar ashpër pas ndeshjes ndaj Malishevës, duke ngritur akuza për referim të njëanshëm dhe duke kërkuar drejtësi e trajtim të barabartë në futbollin kosovar.
Klubi nga Suhareka pretendon se edhe sezonin e kaluar ishte dëmtuar në 13 ndeshje direkte, çka, sipas tyre, ndikoi në humbjen e titullit dhe Kupës së Kosovës, duke e lënë si fajtor Përparim Hasanin.
Ballkani kërkon që këto pretendime të verifikohen përmes analizimit profesional të të gjitha ndeshjeve të sezonit.
Në reagimin e publikuar pas ndeshjes së fundit, klubi kritikon edhe referimin në sfidën ndaj Malishevës. Sipas Ballkanit, në minutën e 52-të Valentin Serebe u rrëzua në zonë pas një ndërhyrjeje që, bazuar në pamjet e ndeshjes, klubi e konsideron të mjaftueshme për penallti. Në vend të saj, Serebe u ndëshkua me karton të verdhë për simulim nga gjyqtari Alban Shala. Ballkani shpreh pakënaqësi edhe për faktin se VAR-i, sipas tyre, nuk ndërhyri për rishikimin e aksionit.
Klubi pretendon gjithashtu se në fund të ndeshjes pati një faull ndaj lojtarit të tij në zonë, ndërsa nga vazhdimi i aksionit erdhi goli i Malishevës.
Ballkani thekson se nuk ka asnjë pretendim ndaj klubit të Malishevës dhe ua uron pikët, duke argumentuar se problemet që ngre lidhen me vendimet e gjyqtarëve dhe strukturat e referimit.
Në reagim, klubi rikujton edhe kontributin e tij në futbollin kosovar dhe sukseset në arenën evropiane, si dhe faktin se një numër i futbollistëve të formuar te Ballkani kanë arritur të përfaqësojnë Kosovën dhe Shqipërinë.
“Ne nuk po kërkojmë favore, as pikë të falura dhe as që dikush të na bëjë kampionë. Kërkojmë vetëm drejtësi në referim dhe trajtim të barabartë”, thuhet në reagimin e klubit.
Në fund, Ballkani i bën thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të reflektojë për çështjen e referimit, duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Mjaft kemi heshtur!”
/GazetaBlic Sport/


