Lajme

“Aktualisht nuk ka parafinancim për Kosovën dhe Serbinë”, thonë nga BE-ja për Planin e Rritjes

3 ditë më parë
nga:Sh R

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka thënë se aktualisht nuk ka parafinancim për Kosovën dhe Serbinë, në kuadër të Planit të Zgjerimi të Bashkimit Evropian.

Në një konferencë për media, ai sot theksoi se procesi në fjalë është ende në vazhdim për Prishtinën dhe Beogradin.

“Mund të konfirmoj se në këtë fazë nuk ka parafinancim për Serbinë dhe Kosovën. Ka pasur parafinancim në fillim të kësaj jave dhe javën e kaluar për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por procesi është ende në vazhdim për të dy vendet për Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Mercier.

Ndër tjera, ai ka pohuar se deri tani nuk mund të deklarohet nëse është përmbushur parakushti i kërkuar që është ai i arritjes së përparimit në procesin e dialogut.

“Në fakt, në procedurën për Planin e Zgjerimit, ka një parakusht kur është fjala për Kosovën dhe Serbinë, që të angazhohen në dialog konstruktiv në kontekstin e marrëdhënieve, në këtë fazë nuk mund t’ju them nëse kushti është përmbushur apo jo”.

“Kjo do të shpjegohet pasi të jetë marrë një vendim pikërisht për parafinancimin, ne duhet të vlerësojmë kushte të ndryshme dhe është një prej tyre kështu që do të komunikojmë për përmbushjen e këtyre parakushteve”.

“Kur bëhet vlerësimi dhe atëherë kemi një vendim për parafinancimin. Pra, nuk mund të them asgjë në këtë fazë”, ka thënë Mercier.