Cult

Aktorja vritet përderisa po priste ta merrte djalin nga shkolla e futbollit

12/17/2021 13:33
nga:G C

Një aktore dhe këngëtare meksikane është qëlluar për vdekje përderisa po priste që ta merrte të birin 11-vjeçar nga një akademi futbolli në rajonin Morelos.

Tania Mendoza ishte jashtë kompleksit sportiv në qytetin Cuernavaca bashkë me prindër të tjerë, kur dy burra të armatosur arritën me motoçikletë të martën. Njëri prej tyre e qëlloi aktoren disa herë para se të largohej me bashkëpunëtorin, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.

Aktorja 42-vjeçare u bë e famshme në vitin 2005, pas një roli të rëndësishëm në filmin “La Mera Reyna del Sur”. Viteve të fundit ishte më shumë e përqendruar në profesionin e këngëtares dhe regjistroi pesë albume.

Në vitin 2010, ajo ishte rrëmbyer bashkë me burrin dhe të birin, që ishte vetëm 6-muajsh. Që nga ajo kohë, Mendoza kishte raportuar tek autoritetet disa kërcënime me vdekje.

Ende nuk është e qartë se kush qëndron prapa vrasjes së saj dhe cili mund të jetë motivi. Pas të shtënave, policia kreu një operacion kërkimi për të dyshuarit, por nuk u arrestua asnjë person.

Meksika për një kohë të gjatë përballet me nivel të lartë të krimit, kryesisht të lidhur me bandat e drogës. Shteti ka edhe numër të lartë të vrasjes së grave. Sipas të dhënave zyrtare, në Meksikë vitin e kaluar janë vrarë mesatarisht nga 10 gra në ditë.