Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka folur në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerët të UÇK-së.
I ftuar në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin”, Isufi ka thënë se sipas tij, qëllimi ka qenë që politikisht të goditet niveli më i lartë i shtetit të Kosovës
“Është marrë përgjegjësia politike institucionale e Kosovës duke llogaritur se kemi të bëjmë me një rol të presidentit të shtetit, të dy kryetarëve të Kuvendit, shefit të grupit parlamentar të një partie politike që tregon se qëllimi ka qenë që politikisht të goditet niveli më i lartë i shtetit të Kosovës. Që nuk ka të bëjë me të kaluarën e luftës së Kosovës, por me tendenca për të cenuar edhe atë që është krijuar në bazë të luftës së drejtë”, ka deklaruar Isufi.
Isufi, duke folur edhe nga përvoja e tij si ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut, ka deklaruar se përfaqësuesit e sotëm të UÇK-së që ndodhen në Hagë nuk kanë pasur kompetenca në zonën që ai ka komanduar gjatë luftës.
“Edhe gjatë luftës, po e them si komandant i Zonës Operative të Karadakut, asnjë kompetencë e përfaqësuesve të sotëm që janë në Hagë nuk ka qenë në zonën time. Jo për shkak që nuk kemi dashur, por për shkak se kanë qenë mundësitë e kufizuara, qoftë komunikimi, qoftë të lëvizjes në terren, zona ime, një pjesë të madhe me popullatë edhe të përzierë nacionale, edhe me 23% nacionalitete të tjera, e që ka qenë e vështirë edhe për një lëvizje më të madhe”, ka thënë ai.
Në fund, Isufi ka mohuar se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur ndërhyrje apo mundësi për të ndikuar në zhvillimet ushtarake në Zonën Operative të Karadakut.
“Po e them që nga niveli i Shtabit të Përgjithshëm nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, kompetencë, ose mundësi për të ndikuar në luftën që është zhvilluar në zonën operative të Karadakut, por edhe për zonat e tjera po ashtu”, ka deklaruar Isufi në ‘Blic Interview me Astrit Gashin”.


