Lajme

Aktakuza ndaj avokatit që dyshohet se pranoi 8 mijë euro për të ndikuar te gjyqtarët, Apeli aprovon ankesën e Prokurorisë

10/25/2024 11:26
nga:N K

Gjykata e Apelit të Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ndryshuar vendimin e Themelores ndaj avokatit Hamdi Jashari i akuzuar për ushtrim ndikimi dhe duke lejuar kështu si provë “letërporosia për një person me nofkën Lali”.

“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, NDRYSHOHET pika II e aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda… të datës 29.05.2024, ashtu që -Letër porosia për një person me nofkën Lali datës 09.06.2023, lejohet si provë e pranueshme”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Jashari më 23 janar 2024 ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se kishte pranuar 8 mijë euro për të ndikuar te gjyqtarët.

Ndaj vendimit të Themelores për konfirmim të aktakuzës del të këtë ushtruar ankesë edhe mbrojtësi i Jasharit, avokati Shemsedin Piraj mirëpo nga Apelit e njëjta është refuzuar në si e pabazuar

Prokuroria e Apelit për këtë rast përmes parashtresës ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke kërkuar të njihet si provë e pranueshme Letërporosia e personit me nofkën Lali, ndërkaq ka propozuar që të refuzohet ankesa e avokatit Piraj.

Gjetjet e Apelit

Në vendim thuhet se bazuar në atë se në momentin e arrestimi i të akuzuarit Jashari i njëjti kishte shkruar aty për aty pra provën shkresore që më parë nuk ishte dhe se nuk është marrë nga zyrtarët policorë përmes rezultatit të kontrollit dhe sekuestrimit ku kërkohet urdhërkontrolli.

Prandaj Apelit e gjeti si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë që kjo provë të jetë e pranueshme.

Tutje, në vendim Apeli ka gjetur si të pabazuar pretendimin e të akuzuarit Jashari se prokurorit në momentin e dorëzimit të kallëzimit penal është dashur të nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve.

Kjo pasi që sipas Apeli prokurori kompetet kishte dhënë autorizimin për Policinë për mbledhjen e provave ku ishin siguruar video incizime dhe kontakte se si Jashari kishte kërkuar dhe nga vëllai një i pandehuri shumën prej 15 mijë euro ( në video përmendet shuma 8 mijë euro).

Krejt kjo në emër të trupit gjykues që vëllai i tij të mos ekstradohet në Maqedoninë e Veriut dhe të mos i caktohet masa e paraburgimit.

Të pabazuar Apeli ka gjetur edhe pretendimin se dëshmia e dëshmitarëve e marrë nga Prokuroria është bërë pa prezencën e tyre pasi që sipas Apeli Prokuroria ka bërë marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe nuk ka qenë e obliguar të ftojë mbrojtjen.

Apeli gjithashtu në vendim ka gjetur se akuza është e mbështetur në prova thelbësisht të bazuara dhe se janë në harmoni me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe se si gjykatë në këtë fazë të procedurës nuk ka bërë vlerësimin lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit Jashari.

Ndryshe në vendim sqarohet se Themelorja e kishte konfirmuar këtë aktakuzë, mirëpo Gjykata e Apelit ia kishte kthyer çështjen në rivendosje shkallës së parë, me arsyetimin se nuk ishin dhënë arsye konkrete për pretendimet e ngritura nga mbrojtja e Jasharit.

Prandaj, Themelorja në vendimin e dytë ka sqaruar se pas vlerësimit dhe analizimit të kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, ka ardh në përfundim se aktakuza është e ngritur në prova dhe dëshmi të pranueshme, që do të administrohen gjatë procesit gjyqësor.

Prandaj Apeli ka vendosur që procedura penale ndaj Jasharit të procedohet me zhvillimin e shqyrtimit gjyqësor.

Jashari më 8 qershor 2023 ishte arrestuar nga policia dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 1 dhjetor 2023?

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamdi Jashari, në cilësi të avokatit mbrojtës të të dënuarit-kërkuarit Avni Ajruli nga 25 maj 2022 deri më 2 qershor 2022, ka kërkuar drejtpërdrejt dhe pranuar para në shumë prej 8 mijë euro nga Ilmi Ajruli, vëllai i Avniut, me qëllim që i njëjti t’ia japë këtë shumë të parave kolegjit të gjyqtarëve Naser Maliqi, kryetar i kolegjit dhe anëtarëve Aziz Sheqiri dhe Veli Kryeziu.

Në aktakuzë thuhet se këto mjete i janë dhënë të akuzuarit me qëllim që të njëjtit të ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e tyre në çështjen penale sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan për ekstradimin e të dënuarit Avni Ajruli për shkak të veprës penale “Vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin person e kërkonte shteti në fjalë për ekstradim, e që një kërkesë e tillë të refuzohet nga kolegji i lartcekur.

Me këto veprime, i akuzuari Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.