Lajme

Aksioni në Veri: Tre policë lëndohen nga granata e dorës, mes tyre edhe komandanti i Specialëve, Besart Ahmeti (VIDEO)

10/13/2021 12:56
nga:M K

Aksioni i policisë në Veri të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave ka lënë disa policë të lënduar.

Siç merr vesh Albanian Post nga burime brenda policisë, pjesëtarët e policisë që ishin pjesë e aksionit janë lënduar nga një garantë dore.

Mes policëve të lënduar është edhe komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.

“Ata po trajtohen në spitalin e Mitrovicës së Jugut, derisa pritet të nisen për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, ka thënë burimi për AP-në.

Gazetarja e Albanian Post, Blerta Ahmeti, nga vendi i ngjarjes ka treguar se pas përplasjes që kishte policia me protestuesit, jo zyrtarisht, mësohet se kanë mbetur të lënduar edhe disa protestues.

Serbët lokalë tashmë kanë bllokuar rrugën te Lagjja e Boshnjakëve, ku ndodhi edhe aksioni i policisë, qysh në orën 09:00 të mëngjesit.

Rruga është bllokuar me kamionë, njëjtë siç kishte ndodhur ditë më parë në pikat kufitare.

Raportohet gjithashtu se në drejtim të gazetarëve që po përcjellin ngjarjen janë hedhur mjete piroteknike.