Lajme

Aksioni i djeshëm në veri, VV lavdëron me video ministrin Sveçla

06/14/2023 11:59
nga:Astrit Gashi

Pas arrestimit të djeshëm të serbit Milun Milenkoviq nga Policia e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje sot ka publikuar një video nga momenti i sulmit të dy të rinjve shqiptarë, duke shkruar se ata u sulmuan nga serbi i arrestuar.

“Prijësi i bandave fashiste që sulmoi KFOR-in, Policinë e Kosovës, dhe dy të rinjtë shqiptarë, Milun Milenkovic – Llune, që njëherazi është edhe njëri prej udhëheqësve të formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” u arrestua dje nga Policia e Kosovës”, shkruan në faqen zyrtare të VV-së në Facebook.

Me videon e publikuar VV-ja ka lavdëruar ministrin e saj Xhelal Sveçla duke shkruar “Republika nuk do të zmbrapset”.

“Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, theksoi se “koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset.”, thuhet në postimin e VV-së