Lajme

Aksidenti tragjik në Vardar, gjendet edhe viktima e katër

01/03/2025 15:35
nga:N K

Pas aksidentit të rëndë që ka ndodhur të enjten në rrugën Saraj-Rashçe, pas disa orësh kërkimesh, sot është gjetur trupi i pajetë i viktimës së katër.

Sipas Alsat M, pas një kërkimi disa orësh diku rreth orës 15:00 është gjetur edhe trupi i pajetë i pasagjerit të katërt që ndodhen në veturë bashkë me tri femra dhe një fëmijë të moshës së mitur.

Pesë pasagjerë, të gjithë nga familja Arsllani e fshatit Gërçec, ishin në veturë.

Fëmija 4-vjeçar që ishte në automjet ka shpëtuar mrekullisht, dhe aktualisht ndodhet në trajtim në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Shkup.

“Gjendja shëndetësore e pacientit që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve është stabile, janë bërë vlerësimet fillestare, parametra të caktuara biokimike dhe tomografi kompjuterike, që janë në rregull. Por për shkak të mënyrës se si ka ndodhur lëndimi, respektivisht për shkak të anamnezës, fëmija po mbahet për observim”, ka deklaruar mjeku Lazo Jovçeski në një deklaratë për Sitel.

Sipas informacioneve jozyrtare, në veturën që ra në ujërat e lumit Vardar kishte 5 persona.

Operacioni i kërkimit mbrëmë ishte pezulluar, për shkak të kushteve atmosferike.