Lajme

Aksidentet me fatalitet, garat ilegale/ Ekspertët e komunikacionit kërkojnë të veprojë Policia dhe të ndryshohet ligji

12/18/2023 21:32
nga:G B

Tre të rinj mbetën të vdekur si pasojë e një aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, në dalje të Prizrenit, mbrëmjen e 16 dhjetorit, derisa po zhvillohen gara ilegale me automjete.

Për shkak se shkaktuan aksident, ndaj dy personave është caktuar nga një muaj paraburgim, nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Lidhur me aksidentet e garat e tilla ilegale, për Gazeta Blic kanë folur ekspertët e komunikacionit.

Eksperti Bekim Ahmeti thotë se aksidentet po ndodhin si rezultat i mos dijes në komunikacion, ku sipas tij edhe patentë shoferët po jepen me pagesë.

“Ne këto aksidente i kemi edhe si rezultat i mosnjohjes ose dijes jo të mjaftueshme në komunikacion, gjë që unë dyshoj që patentë shoferët jepen edhe me pagesë, d.m.th njerëzit po trumbetojnë gjithandej për këtë dhe po dihen edhe shifrat, ku 500 euro jepen për testin teorik, ndërsa për atë praktik nuk e di sa po shkon, por, ka zëra shumë që thonë që jepet me pagesë, d.m.th me një vend ku ndodh kjo, atëherë qytetarët nuk kanë dije të mjaftueshme mbi komunikacionin. Një person i cili s’ka dije të mjaftueshme mbi komunikacionin, mundësia e gabimit, të neglizhencës së problemit ose tërheqjes së vërejtjes bie”, thotë ai për Gazeta Blic.

Sa i përket aksidentit ku kishte gara ilegale, Ahmeti thotë se është shumë vulgare dhe se gara do të duhej të ndodhte në poligon të mbyllur dhe me automjete për këto gara.

“Kurse, ana tjetër se pse po ndodhin aksidentet të natyrës çfarë ishte në Prizren me viktima është natyrë e një gare në formë shumë vulgare, unë nuk mund as ta kuptoj pse ndodh kjo, por kjo është dashur të ndodhë në një poligon të mbyllur e jo me këto automjete që ka ndodhur aksidenti, sepse automjetet e udhëtarëve nuk kanë elemente mbrojtëse sigurie për gara, ku ato për gara kanë brenda elemente të tilla, e kanë një lloj kafazi, helmetën, pajisjet tjera mbrojtëse sepse shpejtësia është shumë e madhe, pastaj nuk ka njerëz afër nesh në rast të daljes nga pista, që ta godasin dikë dhe ta lëndojnë ose mbysin”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Ai tregon se si duhet vepruar që të ketë kushte për këto gara dhe të mos ketë aksidente me fatalitet si pasojë e tyre.

“Çështja tjetër është te autostrada, në poligon s’do të kishte persona të tjerë përpos atyre që ngasin, në autostradë ka njerëz tjerë që ngasin vetura jo për gara. Pastaj ne kemi folur që është jetike që të vendosen kamera dhe radarët mobil dhe statik nëpër akset tona rrugore, gjë që do të bënte detektimin e zonave problematike, ku kemi shkelës të rendit dhe ligjit, në aspektin e kufizimit të shpejtësisë dhe thyerjes së rregullave të tjera të komunikacionit, d.m.th, po t’i kemi kamerat ne dhe po t’i kemi radarët statik apo mobil që Policia i vendos, atëherë kësisoj është dhe mundësia e parandalimit, për arsye se radarët i marrin informatat prej gjendjes në terren saktë dhe nuk mund të marrin në formë selektive “dikë po e lirojmë prej dënimit sepse e njohim e dikë nuk po e lirojmë”, por të gjithë i marrin njësoj. Edhe pasurohet shteti, edhe është masë preventive shumë e mirë për t’i parandaluar aksidentet”, potencon Ahmeti.

Për t’i parandaluar aksidentet e tilla dhe garat e tilla, eksperti i komunikacionit thotë se këtë duhet ta bëjë Policia e Kosovës dhe duhet ndryshuar ligji.

“Nëse Policia e Kosovës nuk e ndal këtë, ne qytetarët nuk mund ta bëjmë këtë, jemi vetëm spektatorë. Ne mund të japim një mesazh, urim dhe asgjë më shumë, por Policia është institucioni që e parandalon një garë të tillë. Ato po publikohen në rrjete sociale dhe ajo dihet botërisht se kur do të mbahet, orën dhe të gjitha dhe pse Policia nuk po merr masa menjëherë por po pret derisa të ndodh një aksident dhe atëherë të thotë çka po bëjmë tutje, d.m.th nuk ka preventivë këtu. Dhe tjetra është që të ndryshohet ligji, sepse ka raste që një njeri 45 herë dënohet pasi i konfiskohet patentë shoferi, ose edhe të arrestohet ai person sepse në një mënyrë ose tjetër po kalon edhe në akt kriminal sepse po dëmtohet tjetri. Imagjinoje që dikush niset për të shkuar në një aheng apo diku me familje dhe dëmtohet nga këta persona dhe është e pafalshme për shtetin, sepse në vende të tilla tërheqja e vërejtjes nuk ka kuptim, ligji duhet të jetë tjetër, duhet marrë masa ligjore dhe jo të mbetemi në mëshirë të fatit të këtyre njerëzve me ego të shfrenuar që nuk kuptohet pse i bëjnë këto gjëra”, deklaron Bekim Ahmeti.

Ndërsa, eksperti tjetër i komunikacionit Nol Dedaj, thotë për Gazeta Blic se garat ilegale mund të parandalohen me menaxhim të nivelit të lartë të rrugëve nacionale nga policia, ndërtim të poligoneve e të tjera.

“Garat ilegale me automjete mund të parandalohen me menaxhim të nivelit të lartë të rrugëve nacionale me dy shirita të qarkullimit dhe autoudha nga ana e policisë, si dhe ndërtimin e poligonit të sigurisë, ku këto gara ilegale të organizohen në kuadër të poligonit të sigurisë e cila garë bëhet me automjete speciale për garim, nën kushtet e ndryshme atmosferike dhe rrugore”, deklaron Dedaj./Gazeta Blic/

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për aksidentin në Prizren ku vdiqën tre të rinj