Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka deklaruar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ende nuk ua ka bartur mjetet financiare komunave nga rritja e të hyrave vetanake të vitit 2023.
Në reagimin e AKK-së thuhet dhe bëhet thirrje ndaj ministrisë që sa më shpejtë të bëjë bartjen e këtyre mjeteve.
“Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në kuvendet e komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye. A thua përse ndodhë një veprim i tillë ndaj komunave? Duhet ditur se MFPT e ka obligim ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave”, thuhet në reagim.
Ndër tjera, theksohet se ministria i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar.
Poashtu, në këtë thirrje AKK-ja i është drejtuar edhe vet ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“I bëjmë ftesë publike ministrit të ndërmarrë veprimet konkrete ligjore për realizimin e të drejtës së komunave në të kundërtën po neglizhohet në dëm të komunave e rrjedhimisht, në dëm të mosrealizimit të projekteve kapitale në interes të qytetarëve”.