Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur shqetësimin se rritja ekonomike e Kosovës nuk po përkthehet në përmirësim të mjaftueshëm të standardit të jetesës së qytetarëve.
Në një reagim të publikuar të premten, AKB ka pyetur institucionet se përse, pavarësisht rritjes së GDP-së, pagave, punësimit dhe eksporteve, qytetarët vazhdojnë të përballen me standard të ulët jetese dhe të ardhura të ulëta.
Sipas të dhënave të cituara nga AKB-ja, paga mesatare bruto në Kosovë është 713 euro, rritja e GDP-së 5.43 për qind, papunësia rreth 11 për qind, ndërsa inflacioni ka arritur në 6.5 për qind.
AKB vlerëson se këto shifra mund të japin përshtypjen e një ekonomie në rritje, por nuk e pasqyrojnë domosdoshmërisht realitetin e përditshëm të qytetarëve.
“Nëse kemi rritje të GDP-së, rritje të pagave, rritje të punësimit, rritje të eksporteve dhe tregues pozitivë ekonomikë – pse Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet me standardin më të ulët të jetesës dhe me të ardhura të ulëta për banor në Evropë?”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Sipas kësaj organizate, qytetarët mirëqenien nuk e matin me përqindjen e rritjes së GDP-së, por me mundësinë për të përballuar shpenzimet e përditshme, përfshirë ushqimin, energjinë dhe qiranë.
AKB ka vlerësuar gjithashtu se paga mesatare prej 713 eurosh nuk e pasqyron domosdoshmërisht gjendjen e shumicës së punëtorëve, pasi mesatarja ndikohet edhe nga pagat më të larta në sektorin publik dhe institucionet shtetërore.
Edhe norma e papunësisë, sipas AKB-së, duhet të analizohet më thellë, duke marrë parasysh personat jashtë tregut aktiv të punës, emigrimin dhe ekonominë joformale.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka ngritur pyetjen se kush po përfiton nga rritja ekonomike nëse ajo nuk po reflektohet në jetën e qytetarëve.
“Nëse ekonomia po rritet, por qytetari nuk po jeton më mirë, atëherë duhet të pyesim seriozisht: kush po përfiton nga kjo rritje?”, ka deklaruar Shahini.
AKB ka kërkuar nga institucionet politika konkrete për rritjen e fuqisë blerëse, kontrollin e çmimeve, mbështetjen e prodhimit vendor, krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës, lehtësimin e sektorit privat dhe luftimin e ekonomisë joformale.
Po ashtu, organizata ka kërkuar masa për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore dhe të rinjve nga Kosova.
“Rritja ekonomike duhet të ndihet në xhepin e qytetarit, jo vetëm të shihet në statistika”, përfundon reagimi i AKB-së.


