Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim për krizën institucionale dhe përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.
Në një reagim, AKB ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit, mungesa e dialogut politik dhe pamundësia për të gjetur një zgjidhje institucionale po e thellojnë krizën dhe po dëmtojnë besimin e qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve në institucionet e Kosovës.
Sipas AKB-së, partia fituese ka përgjegjësinë e parë për krijimin e institucioneve, ndërsa opozita ka përgjegjësinë demokratike të marrë pjesë në funksionimin e Kuvendit, ta kontrollojë dhe kritikojë pushtetin, si dhe të votojë sipas mandatit të saj.
“Kur dialogu politik mungon, kur rregullat kushtetuese dhe parlamentare nuk respektohen dhe kur debati politik kalon në përplasje fizike, atëherë cenohet vetë demokracia dhe funksionimi institucional i shtetit”, thuhet në reagimin e AKB-së.
AKB ka theksuar se Kuvendi duhet të jetë vendi i debatit, argumentit dhe votës, e jo i konfrontimit fizik.
“Kosova nuk mund të mbahet peng nga inatet partiake. Institucionet nuk mund të funksionojnë pa dialog, ndërsa ekonomia nuk mund të presë”, thuhet më tej.
Sipas AKB-së, çdo ditë e bllokimit institucional rrit pasigurinë për bizneset dhe investitorët, frenon vendimmarrjen ekonomike dhe dëmton imazhin e Kosovës si destinacion për investime.
Aleanca Kosovare e Bizneseve u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen në dialog, të respektojnë Kushtetutën dhe rregullat demokratike, ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë institucione funksionale.
“Kosova ka nevojë për vota, jo për përleshje; për dialog, jo për bllokadë; për institucione, jo për krizë të përhershme”, thuhet në reagim.
Në fund, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se interesi i shtetit, qytetarëve dhe ekonomisë duhet të jetë mbi çdo interes partiak.


