Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, në një intervistë për Tagespost ka thënë se është e vërtetë se “disa kisha ortodokse serbe” janë sulmuar në vitin 2004.
I pyetur se si ka ndodhur që në vitin 2004 kishat ishin djegur dhe varrezat vandalizuar, Ajeti përsëriti se shkaku i ngjarjeve brutale ishte një sulm serb në Mitrovicë ndaj “fëmijëve shqiptarë që luanin futboll”.
“Nga frika, disa fëmijë u përpoqën të kalonin lumin duke u mbytur. Kjo ishte ajo që shkaktoi trazirat. Kjo tregon se sa e brishtë ishte situata në atë kohë. Është e vërtetë se disa kisha ortodokse serbe u sulmuan në atë kohë. Me këtë rast është dëmtuar reputacioni ndërkombëtar. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa për të rindërtuar të gjitha kishat e shkatërruara. Në vitin 2004, shqiptarët e Kosovës, madje edhe ish-luftëtarët e UÇK-së mbrojtën manastirin e Deçanit nga një turmë e zemëruar. Djegia e institucioneve fetare nuk ka qenë kurrë pjesë e traditës shqiptare”, tha Ajeti.
Ai me këtë rast theksoi se se shumë kisha ortodokse serbe kanë qenë kisha katolike shqiptare shumë shekuj më parë.
“Askush nuk flet për këtë. Shqiptarët u konvertuan në të krishterë në Perandorinë Romake shumë kohë përpara se serbët të vinin në Ballkan. Islami u pranua nga shqiptarët vetëm nën sundimin e osmanëve. Përveç kësaj: të mirat kulturore serbe në Kosovë u takojnë banorëve të këtij vendi , jo Serbisë apo Shqipërisë, por Kosovës”, tha Ajeti.
Ajeti po ashtu ka thënë se UÇK-ja nuk ka asnjë lidhje me trafikimin e organeve dhe ka kujtuar se në Hagë është themeluar një Gjykatë Speciale për të hetuar akuzat e tilla.
Siç tha ai, deri më sot nuk është publikuar asnjë dëshmi se një luftëtar i UÇK-së është përfshirë në trafikun e organeve.
“Establishmenti serb vazhdimisht të manipulon të dhënat për praninë e komunitetit serb në Kosovë. Sipas regjistrimit të fundit të pranuar si nga shqiptarët, ashtu edhe nga serbët, në Kosovë ishin 180 mijë serbë. Sot në Kosovë ka 120 mijë serbë, që do të thotë rreth 60 mijë serbë janë larguar nga Kosova – nuk ka pasur 200 mijë serbë në Kosovë. Dy të tretat e serbëve mbetën në Kosovë. Disa mijëra u larguan sepse shumë ishin pjesë e aparatit të represionit”, tha Ajeti.
Për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në “Shqipërinë e Madhe”, Ajeti tha se nuk ka plan për krijimin e një shteti mono-etnik të shqiptarëve apo “Shqipërisë së Madhe” dhe se kjo është pjesë e propagandës serbe, por bashkimi do të bëhet brenda kornizës së anëtarësimit në BE.
“Sapo të jemi të gjithë në BE, kufijtë nuk do të jenë më të rëndësishëm dhe ne do të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha ai.
I pyetur nëse Kosova mund t’u japë të drejta të plota serbëve të Kosovës, Ajeti tha se “Kosova është shtet multietnik” dhe se të gjitha pakicat i kanë të drejtat e garantuara me Kushtetutë.


