Lajme

Ajazi: Kemi paraqitur ankesë në PZAP, besojmë se do të pranohet – S’kemi thyer asnjë rregull

08/28/2021 16:07
nga:M K

Para pak kohësh, GazetaBlic raportoi për një dokument të KQZ-së, i cili ka detyruar inciciativën “Dekada e re e Drenasit” që të ndryshojë emër për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit.

Iniciativa “Dekada e re e Drenasit” nuk i plotësoi kushtet për emrin, KQZ e detyron ta ndryshojë

Megjithatë, kreu i kësaj iniciative, duket të mos jetë pajtuar me këtë vendim dhe ka dërguar ankesë në PZAP. Sipas tij, ky emër nuk ka thyer asnjë rregull apo akronim, pasi “Dekada e re” ka qenë vetëm sllogan i Partisë Demokratike në të kaluarën dhe nuk është emër i asnjë partie, prandaj beson se PZAP do ta pranojë ankesën e tyre dhe do t’i lejojnë të marrin pjesë në zgjedhje.

Në një prononcim për GazetaBlic, Ajazi konfirmoi ankesën e bërë në PZAP, teksa ka konfirmuar se emri “Dekada e re e Drenasit” nuk është përdorur nga askush. Pra, nuk është patentuar.

“Po e kemi bërë një kërkesë në PZAP, po presim përgjigje. Po po synojmë të vazhdojmë me emrin e njëjtë. Ai emër është që nuk e ka përdorur askush. Ka qenë sllogan i PDK-së, por si emër zyrtar nuk është përdorur prej askujt.

Pra, nuk është patentu”, tha fillimisht ai.

Tutje, i pari i DRD-së ka thënë se emrin alternativ tashmë e kanë menduar, porse beson që nuk do të ketë nevojë për ndryshim, gjithmonë duke u bazuar në nenin 21, që thotë se vetëm emri i partisë apo akronimi mos të jetë i njëjtë.

“Sa i përket emrit alternativ, e kemi mendu, por nuk besoj se do të ketë nevojë, pasi e drejta ligjore është në anën tonë.

Neni 21 e thotë që vetëm emri dhe akronimi mos të jenë të njëjtë, çka do të thotë se ne dhe PDK-ja në Drenas nuk kemi asgjë të përbashkët. Besoj që të hënën do të kthehet edhe përgjigja prej panelit për ankesa dhe parashtresa”, përfundoi Ajazi.

/GazetaBlic/