Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ia ka ndaluar përpunimin e të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamera Ministrisë së Shëndetësisë (MSh).
Këtë AIP e ka bërë të ditur përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
Siç shkruhet në njoftim Ministria e Shëndetësisë në cilësinë e kontrolluesit, ka përpunuar të dhëna personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në kundërshtim me kriteret e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Me këtë rast, Agjencia ka nxjerr Vendim Nr. 116/2022, më date 06/06/2022, me të cilin ka obliguar Ministrinë të ndalojë përkohësisht përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, si dhe të bëjë shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes këtij sistemi deri në datën e pranimit të vendimit. Poashtu, vëzhgimi me kamerë mund të fillojë vetëm pas plotësimit të dispozitave ligjore të parapara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftimin e AIP-it.
Tutje bëhet e ditur se MSh-ja tani ka kohë tetë ditë për zbatimin e vendimit dhe ta njoftojë AIP-in.
“Andaj, Ministria e Shëndetësisë, obligohet që brenda afatit prej tetë ( 8 ) ditësh nga pranimi i vendimit, të ndërmerr të gjitha veprimet e duhura për zbatim e vendimit dhe të njoftoj Agjencinë për Informim dhe Privatësi, në të kundërtën, Agjencia do të ndërmerr masat ndëshkuese të parapara sipas Ligjit”, përfundon njoftimi.


