Zhvillimi aktual i ngjarjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë shqetësues, tha sot përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Adis Ahmetoviq, me mesazhin se historia e errët nuk duhet të përsëritet.
“Në vend të provokimeve të mëtejshme, për shembull duke i vendosur forcat serbe të sigurisë në një gjendje të gatishmërisë së lartë luftarake ose duke bllokuar rrugët dhe pikat kufitare, duhet të ketë një vullnet të vërtetë për të negociuar për të parandaluar një konflikt të armatosur,” tha Ahmetoviq në një deklaratë.
Ai shtoi se “përkundër kërkesave ndërkombëtare, përfshirë atë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili kërkoi nga KFOR-i që të heq barrikadat e arterieve kryesore të trafikut, ato ende janë të bllokuara, dhe pikat kufitare janë të mbyllura”.
Ai tha se nëse informacioni është i saktë, se njësitë e grupit Wagner tashmë janë të stacionuara në Serbi, kjo kërkon sqarim urgjent.
“Tani më shumë se kurrë, BE-së dhe SHBA-së i kërkohet të ndërmarrin masa urgjente, konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar paqen në Kosovë, për shembull përmes ringritjes së numrit të anëtarëve të KFOR-it, një mision ndërkombëtar që ka dëshmuar të jetë një spirancë e stabilitetit në rajon”, nënvizoi Ahmetoviq.
Deputeti gjerman thekson se një përpjekje e dukshme për të përsëritur një kapitull të errët të historisë nuk duhet lejuar të ketë sukses


