Krerët e shtetit, Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, u përfshinë në një përplasje ditët e fundit.
Kjo përplasje u bë publike në momentin që Kurti nuk mori pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja Osmani dhe përgjigja ironike e Presidentes ndaj Donika Gërvallës.
Në lidhje me këto polemika ka folur për “Gazeta Blic”, zyrtari nga Partia Socialdemokrate, Bardh Ahmeti.
Ahmeti tha se nga ajo që u shfaq në publik po shihet se ka mospajtime brenda ekzekutivit dhe Presidencës.
Ai tha se në rastin në fjalë (Osmani-Gërvalla-Kurti) ka përplasje egosh.
“Kemi parë disa përplasje publike të krerëve të shtetit mes njëri-tjetrit. Siç po shihet, brenda ekzekutivit e presidencës ka mospajtueshmëri e kjo më së miri u shfaq në momentin që Kosova shqyrtohej për anëtarësim në Këshillin e Evropës”
“Në anën tjetër, s’kemi si të mos e komentojmë përplasjen më të fundit që ndodhi këto ditë, presidentja se pranoi Glaukun si zëvendësim për Kurtin e i kushtoj këngë Donika Gërvallës. Më e pakta që mund të themi është që këtu ka përplasje egosh që po të mos ishte në mes të udhëheqësve të shtetit do të dukej shumë më qesharake sesa tragjike” tha Ahmeti për “Gazeta Blic”
Ai tha se asnjëra palë skanë treguar se çfarë konkretisht i diferencon.
“Substancialisht, asnjëra palë s’ka treguar se për çka konkretisht po i diferencon. Pos përplasjeve të egos s’kemi parë gjë tjetër. Prandaj edhe cilido që potencialisht mund të quhej si fitues në fakt s’fiton asgjë përmbajtësisht pos që shndërrohet në akterë të cirkut të nivele më të larta të udhëheqjes së shtetit” deklaroi Ahmeti për “Gazeta Blic”.