Lajme

Ahmeti përfundon vizitën në Arabi, ka pajtueshmëri për nisjen e procedurave për marrëveshje në fushën e aviacionit

02/20/2024 14:34
nga:Sh R

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, e ka përfunduar vizitën zyrtare në Arabinë Saudite.

Ahmeti gjatë qëndrimit dyditor ka takuar ministrin e Transportit dhe Logjistikës, Saleh bin Nasser bin Alali Aljasser me të cilin kanë folur për raportet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit.

“Palët u pajtuan që të fillojnë procedurat për lidhjen e marrëveshjes në fushën e aviacionit civil, e cila do të lehtësonte udhëtimet e qytetarëve mes Prishtinës dhe qyteteve të ndryshme të Arabisë Saudite”, njofton MPJD.

Ahmeti atje ka takuar edhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë – Arabi Saudite, Khaled Mohammed Albawardi.

“Në takim u bisedua për zhvillimet ekonomike e të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe për rritjen e bashkëpunimit parlamentar mes të dyja vendeve. Grupi i Miqësisë e mirëpriti ftesën për vizitë në Kosovë”.

Ai ka zhvilluar edhe takime tjera, përfshirë atë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Jemenit, nga i cili u informua në detaje mbi kontekstin historik dhe zhvillimet e fundit në Jemen.