Bardh Ahmeti nga PSD ka kritikuar ashpër Albin Kurtin për përpjekjet e tij për të krijuar pasiguri dhe manipuluar situatën politike në Kosovë, raporton GazetaBlic.
Sipas Ahmetit, Kurti po qëndron i paparashikueshëm për të fajësuar të tjerët nëse qeveria e ardhshme nuk udhëhiqet nga ai.
“Qëllimi kryesor i Kurtit tani është krijoj pasiguri e parehati. Ai vetëdijshëm po qëndron i paparishikueshëm sepse kështu dëshiron të krijoj fajtor pse potencialisht qeveria e ardhshme e Kosovës nuk do të udhëhiqet nga ai,” tha Ahmeti.
Ai për GazetaBlic theksoi se, nëse opozita nuk bashkëpunon me Kurtin, mund të shkohet në zgjedhje të reja.
“Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit. Sigurisht, nëse opozita nuk bashkëpunon me Kurtin, njëra prej opsioneve janë zgjedhjet,” shtoi ai.
Ahmeti theksoi se spektri politik duhet të bashkohet për të sfiduar pushtetin autoritar të Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Përballë një pushteti me tendenca autoritare, i gjithë spektri politik do të duhej të bashkohej që ta rrëzonte,” tha ai.
Në përfundim, ai paralajmëroi për pasojat e mundshme nëse opozita dështon të bashkohet. “Mungesa e gadishmërisë së opozitës mund të prodhojë pasoja edhe më të rënda për vendin,” përfundoi Ahmeti.
Sot nis regjistrimi i deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës


