Lajme

Ahmeti: Besoj që Kurti ka qenë i keqinformuar nga politikanët në Maqedoni për gjuhën shqipe

12/29/2024 17:58
nga:G B

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është shprehur i dëshpëruar me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut lidhur me gjuhën zyrtare shqipe.

Ahmeti ka thënë se ka dashur të besoj që kryeministri Kurti ka qenë i keqinformuar nga politikanët në Maqedoni, si dhe ka uruar reflektim nga ana e tij për këtë deklaratë.

“Mua më ka dëshpëruar dhe kam dashur të besoj që kryeministri i Kosovës ka qenë i keq informuar nga politikanët në Maqedoni, lidhur me gjuhën zyrtare shqipe, ajo është zyrtare dhe e sanksionuar me Kushtetutë dhe me marrëveshjen e Ohrit, është njëra nga shtyllat kryesore të marrëveshjes. Uroj që të reflektojë sepse ka ngjallur indinjatë tek qytetarët e Maqedonisë, për çështje madhore të gjithë duhet të jemi bashkë sepse për atë gjuhë Kosova ka djem që janë vrarë dhe po shkrihet. Nuk na kanë dhënë dhuratë por i kemi fituar me gjak, duhet të jemi të kujdes me zhvillimet dhe prononcimet”, tha Ahmeti.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti, më 18 nëntor pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua në Prishtinë, tha se në Maqedoninë e Veriut “nuk ekziston ligj për përdorimin e gjuhës shqipe”.

“Në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorim të gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston Ligji për përdorim të gjuhëve, që e përmend shifrën 20 për qind, por nuk është ligj për përdorim të gjuhë shqipe, është për përdorim të gjuhëve”, tha kryeministri Kurti duke shtuar se pret vendim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese, që nuk bën përjashtime dhe respekton shumëgjuhësinë.