Lajme

Ahmeti ambasadorit të Italisë: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

11/19/2024 17:37
nga:G B

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI), Ali Ahmeti, gjatë ditës së sotme(e marte) në Tetovë ka pritur ambasadorin e Italisë të akredituar në Shkup, Andrea Silvestri.

Lideri i BDI-së dhe Ambasadori Silvestri kanë bashkëbiseduar për Marrëveshjen e Ohrit, zgjedhjet, reformat dhe sundimin e ligjit si dhe integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut(RMV).

Kryetari Ahmeti ka theksuar se BDI dhe Fronti Europian ngadhënjyen në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por ky vullnet i qytetarëve u injorua nga mandatari padrejtësisht.

“Marrëveshja e Ohrit është garantues i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe i marrëdhënieve ndëretnike në vend. Cënimi i legjitimitetit zgjedhor, ndërhyrja tendencioze ndaj gjuhës shqipe, etnisë dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ndikon drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e vendit. Marrëveshja e Ohrit është e garantuar nga BE dhe SHBA, ndërsa pjesë e zbatimit kanë qenë edhe NATO dhe OSBE. Edhe largimi nga perspektiva europiane po tensionon qytetarët dhe po rëndon situatën politike në vend”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Dialogu politik nëpërmjet të respektimit të legjitimitetit zgjedhor të përfaqësuesve legjitim të komuniteteve etnike duhet të rivendoset me zgjedhjet e përbashkëta parlamentare dhe lokale në tetor të vitit 2025.