Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka reaguar lidhur me procesin e themelimit të Ndërmarrjes Komunale “Ulpiana”, duke paraqitur kronologjinë e veprimeve institucionale që nga viti 2021, raporton GazetaBlic.
Ahmeti ka bërë të ditur se Komuna e Lipjanit ka dërguar gjithsej tetë shkresa zyrtare në institucionet përkatëse, duke kërkuar përgjigje për procedurat e mëtejshme, por sipas tij, deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ministria përkatëse.
Ai ka theksuar se themelimi i ndërmarrjes synon përmirësimin e shërbimeve të grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave, pasi, sipas tij, kompania rajonale “Pastrimi” nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të ofruar shërbim efikas në Lipjan.
“Qytetarët meritojnë ta dinë të vërtetën, ndërsa institucionet kanë për detyrë të japin përgjigje”, ka shkruar Ahmeti.


