Lajme

Ahmetaj: Lëvizja me pasaportë të Kosovës në Spanjë dhe njohja nga Spanja kanë aq lidhje, sa ka edhe liberalizimi i vizave me anëtarësim në BE

01/08/2024 18:42
nga:Genita C

Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj thotë se me pasaporten e Kosovës udhëtohet në shumë vende që nuk e kanë njohur shtetin tonë, andaj, sipas saj edhe njohja e pasaportës nga Spanja nuk ndërlidhet me njohjen e Kosovës.

Ahmetaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se, udhëtimi drejt Spanjës me pasaportë të Kosovës nuk është asgjë më tepër se sa rrjedhojë e liberalizimit të vizave.

Ajo shton se, Spanja edhe po të dontë ta bllokonte Kosovën në këtë çështje nuk do ta kishte të mundur, pasi shumica kanë votuar “pro liberalizimit”.

“Në lidhje me çeshtjen e pasaportës dhe Spanjës, është bërë temë pa qenë farë ndërlifhja me njohjen. Me pasaportën e Kosovës udhëtohet në shumë vende që nuk na kanë njoftë, duke e përfshi gati të gjitha vendet mosnjohëse brenda BE-së dhe jashtë saj. Rrjedhimisht fakti që ne kemi lëvizë në këto vende tash e një kohë, nuk ka pas si rrjedhojë njohjen nga këto vende dhe as që bëhet fjalë”, tha Ahmetaj.

“Udhëtimi drejtë Spanjës me pasaportë të Kosovës, është rrjedhojë e liberalizimit të vizave dhe asgjë më tepër. Spanja është shtet i BE-së dhe që nga dita e parë kur e kemi filluar negocimin për liberalizim të vizave në zonën Schengen, votimi bëhet më “shumicë të kualifikuar” (55% e shteteve antare të BE, që përbëjne 65% të popullatës, duhet të votojnë “pro”) dhe shtetet nuk kanë të drejtë të vetos, rrjedhimisht, Spanja edhe po të donte nuk do të mund ta bllokonte Kosovën në këtë proces sepse shumica kanë votuar “pro” liberalizimit.

Tutje, Ahmetaj shton se lëvizja me pasaportë të Kosovës në Spanjë dhe njohja nga Spanja janë dy procese krejtësisht të ndryshme.

“Pra, lëvizja me pasaportë të Kosovës në Spanjë dhe njohja nga Spanja ka aq lidhje sa ka edhe liberalizimi i vizave me anëtarësim në BE. Pra, janë dy procese të ndryshme.”

“Poashtu, fakti që në Spanjë po e atakojnë KM Sancez për njohje të pasaportës së Kosovës është më tepër çështje e politikës së brendshme, në një koalicion fragjil qeverisës në këtë kohë në Spanjë, dhe për shkak të kërkesës së Katalonasve që të njihen në BE si grup i veçantë dhe ndaras nga Spanja, sesa që ka të bëjë me të vërtetën e Kosovës”, tha Ahmetaj.

Në fund, Ahmetaj shton se Qeveria nuk duhet të merret me suksese të rrjeshme, por me pasojat që kanë ardhë për Kosovën nga sanksionet.

“Nuk e di nëse kjo është bërë lajm në Kosovë nga mos dija apo me qëllim që t’i “fakturohet” dikujt si “sukses”, meqenëse po jetojmë në kohën e “fake neës”, por mendoj që më mirë do të ishte që lajmë të bëhet humbja e afër 500 milion euro, ndihmë nga BE për shkak të sanksioneve që nga qershori 2022 dhe pezullimi i një mori projekteve investive pikërisht për shkak të sanksioneve. Pra, Qeveria duhet të merret me pasojat ku e kanë sjellë vendin e jo me suksese të rrejshme”, tha Ahmetaj për GazetaBlic.

Deputeti i VV’së: Spanja afër ta njohë Kosovën, por jo aq afër sa do të dëshironim