Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në tre seancat e fundit plenare të thirrura nga opozita.
Në këto seanca u diskutua në lidhje me çështjen e ushqimit në FSK, mesazhet Mihali-Krasniqi dhe përgjimet Kusari-Lila-Simiq.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar deputeti nga Lëvizja Vetvendosje, Gramos Agusholli, ku thotë se në të gjitha seancat ku diskutohen çështje të rëndësishme duhet të jenë pjesëmarrës të gjithë deputetët pa përjashtim.
Agusholli thotë se në seancat që thirren për të diskutuar tema me rëndësi thelbësore, foltorja shfrytëzohet për të denigruar ndonjë deputet.
“Të gjitha seancat ku diskutohen çështje të rëndësishme për të mirën e qytetarëve dhe shtetit tonë duhet të kenë pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithë deputetëve, pa përjashtim. Për këto çështje të përbashkëta, është detyrim i çdo deputeti të jetë prezent dhe aktiv. Nga ana tjetër, seancat që thirren për të diskutuar tema që kanë rëndësi thelbësore, e pastaj aty foltorja shfrytëzohet për të denigruar ndonjë deputet, deri në atë pikë sa t’i thuhet “fëlliqësirë” apo fyerje të tjera të ulëta, nuk sjellin asnjë të mirë. As për demokracinë, as për vendin”, tha ai.
Tutje, ai tregon së në ditët e fundit në mediat sebre po qarkullojnë lajme lidhur me ushqimet e FSK-së me tituj “ Kosova është në prag të kapitullimit, ushtarët e saj janë të uritur”, ku thotë se kjo retorikë e përdour nga opozita në seancat e fundit është e rrezikshme.
“Në ditët e fundit kam lexuar mediat serbe që në titujt e tyre thonë se “Kosova është në prag të kapitullimit, ushtarët e saj janë të uritur”. Kjo retorikë, e përdorur gjithashtu edhe nga opozita në këto seanca, është e rrezikshme dhe dhe lind pyetja se : Kujt i shërben një diskurs i tillë?”, u shpreh ai.
Ndër të tjera ai thotë se bojkotimi i seancave nga opozita është një metodë legjitime demokratike, ai thotë se bojkoti duhet të përdoret me kujdes dhe përgjegjësi.
“Gjithashtu, opozita ka bojkotuar seanca në ditë kur rendi i ditës ka qenë edhe më i ngjeshur me tema shumë me rëndesi, kjo është një metodë legjitime demokratike. Bojkoti si formë proteste është i drejtë si për pozitën, ashtu edhe për opozitën, por duhet përdorur me kujdes dhe përgjegjësi.”, përfundoi Agusholli për GazetaBlic.


