Lajme

Agusholli: Masat ndëshkuese, njëra nga padrejtësitë më të mëdha që i kanë ndodhur Kosovës që nga pas lufta

06/29/2024 13:02
nga:Sh R

Është bërë tash e një vit prej kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, por pak dihet se kush është dëmtuar më së shumti nga ky vendim.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, deputeti nga Lëvizja Vetvendosje, Gramos Agusholli, thotë se masat ndëshkuese kanë qenë njëra nga padrejtësitë më të mëdha që i kanë ndodhur Kosovës që nga pas lufta.

Agusholli thotë se këto masa kanë ndikuar negativisht në imazhin ndërkombëtarë të vendit dhe kanë penguar integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Masat ndëshkuese kanë qenë njëra nga padrejtësitë më të mëdha që i kanë ndodhur Kosovës pas luftës. Vendosja e tyre dhe arsyet pse janë vendosur kanë qenë tërësisht të gabuara. Këto masa jo vetëm që kanë penguar zhvillimin e brendshëm të Kosovës, por kanë ndikuar negativisht edhe në imazhin ndërkombëtar të vendit. Në rrafshin politik, ato kanë përforcuar ndarjet dhe kanë penguar integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha ai.

Tutje ai thekson se masat kanë qenë një pengesë e madhe që Kosova të jetë një anëtare e plotë dhe e respektuar e komunitetit ndërkombëtarë.

“Kosova, përveç që ka pasur fusnotën si shtet me sanksione, në rrafshin ndërkombëtar ka humbur pikë. Ky humbje ka qenë një pengesë e madhe për aspiratat e saj për të qenë një anëtare e plotë dhe e respektuar e komunitetit ndërkombëtar. Nuk besoj të kenë pasur ndikim direkt në jetën e qytetarit përveç ndikimit negativ në diplomaci. Megjithatë, në aspektin ekonomik, këto masa kanë penguar investimet e huaja dhe kanë ngadalësuar zhvillimin ekonomik, duke ndikuar në mënyrë indirekte në mirëqenien e qytetarëve”, shtoi Agusholli.

Deputeti vlerëson se Kosovës shumë shpejt do t’i hiqen sanksionet, ku shton se ky do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës në BE.

“Unë mendoj që nuk do të kalojë shumë kohë kur Kosovës do t’i hiqen sanksionet, sepse edhe përfaqësuesit e lartë tashmë e kanë parë që Kosova në raport me Serbinë dhe bisedimet gjithmonë ka përmbushur kriteret dhe i është bindur BE-së. Ky përkushtim për dialog dhe bashkëpunim është një tregues i qartë i pjekurisë politike dhe angazhimit për paqe dhe stabilitet në rajon. Heqja e sanksioneve do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës në BE dhe do të hapë dyer të reja për zhvillim dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e saj”, përfundoi Agusholli për GazetaBlic.