Lajme

Agusholli: Kosova ka përmbushur shumicën e kërkesave, ‘presioni’ ndërkombëtar duhet të balancohet

05/26/2024 10:57
nga:N K

Deputeti i VV-së Gramos Agusholli, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua rreth mundësisë së dërgimit të draft statutit në Gjykatën Kushtetuese, pasi që Ambasadori i Francës në Kosovë ka thënë se Kosova ende ka mundësi për anëtarësim në KIE.

Ai e quajti thelbësor bashëpunimin ndërkombëtar për të siguruar që dokumenti është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Fillimisht duhet të mos harrojmë që në formulimin e draft statutit kanë qenë të përfshirë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky bashkëpunim ndërkombëtar ka qenë thelbësor për të siguruar që dokumenti eshte në përputhje me standardet ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Ai e konsideron si të nevojshme përfshirjen e të gjitha palëve në mënyrë që në këtë proces të sigurohet një dokument më i pranueshëm për të gjithë.

“Unë konsideroj se ka qenë e nevojshme të bashkëpunojmë me opozitën dhe me presidenten Osmani për të rregulluar ato pjesë të draft statutit që mund të shkaktojnë dykuptimësi, para se ai të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Përfshirja e të gjitha palëve në këtë proces do të siguronte një dokument më të qartë dhe të pranueshëm për të gjithë”, tha deputeti.

Tutje, ai shtoi se ende nuk dihet nëse draft statuti përputhet me marrëveshjet e viteve paraprake.

“Ajo që nuk dimë është nëse ky draft statut përputhet me marrëveshjet e vitit 2013-2015. Nëse po, atëherë konsideroj se sistemi juridik paralel, e drejta për të vendosur taksa, raporti paralel me autoritetin qendror dhe shumë pika të tjera duhet të punohen ende në marrëveshje dhe zbatim. Monoetniciteti është i papranueshëm për ne dhe duhet të adresojmë këto çështje përpara se të procedojmë më tej”, potencoi Agusholli për Gazeta Blic.

“Pra, ka shumë pika që fillimisht duhet të rregullohen para se të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të ndihmonte në shmangien e komplikimeve të mundshme ligjore dhe politike më vonë”, vazhdoi tutje ai.

Sipas deputetit Agusholli, Kosova ka përmbushur shumicën e kërkesave dhe ambasadorët e shteteve anëtare nuk duhet të bëjnë ‘presion’ me pranimin ose mospranimin e Kosovës në KiE.

“Konteksti është i rëndësishëm: kërkesa për draft statutin në përgjithësi ka qenë gjithmonë e shtetit serb. Ambasadorët e shteteve anëtare nuk duhet të bëjnë ‘presion’ me pranimin ose mospranimin tonë në KiE, pasi Kosova ka përmbushur shumicën e kërkesave. Kjo nënkupton që presioni ndërkombëtar duhet të balancohet me realitetin e arritjeve dhe përpjekjeve të Kosovës për të përmbushur standardet ndërkombëtare”, përfundoi deputeti i VV-Së Gramos Agusholli./Gazeta Blic/